Chollet telefonon Kurtin, i kërkon që ta pranojë propozimin franko-gjerman

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka njoftuar për një telefonatë të zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Chollet ka bërë të ditur se me Kurtin ka diskutuar lidhur me propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i njohur si propozimi franko-gjerman.

Ai ka thënë se nga Kurti ka kërkuar që Kosova ta pranojë këtë propozim.

“Komunikova me kryeminsitrin Albin Kurti për të disktuar rreth propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si dhe që ta nxis Kosovë për ta pranuar atë”, ka shkruar Chollet në Twitter.

Chollet, tutje, ka shkruar se një ndër temat kryesore të diskutuara ishte edhe partneriteti i Kosovës me SHBA-në dhe qëllimi i përbashkët për avancimin e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike për Kosovën.

Në një intervistë për mediumin kroat HTR, gjatë ditës së djeshme, i dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se Kosova ka brenga rreth këtij propozimi.

“Ata kanë brengat e tyre. Mendoj se kemi ende punë për të bërë, por besoj se do ta arrijmë qëllimin. Kosova ka mbështetjen e plotë të SHBA-së, është një partnere e mirë, dhe s’kam ndonjë dyshim në këtë gjë. Besoj se do të arrijmë çfarë duam”, ka thënë Escobar.

Deri tani, institucionet e Kosovës kanë ndarë pak informacione për mospajtimet që mund t’i kenë me këtë propozim. Për më shumë, Kurti ka deklaruar se ky propozim është një bazë e mirë për t’i nisur diskutimet me Serbinë. /GazetaExpress