Një koncesion për një “Ismail”, a ishte markimi fatura e çarterit të kryeministrit?

Në tetor të vitit të kaluar faqja Homeland Justice, e cila dyshohet se përdorej nga hackerat iranianë që sulmuan sistemet dixhitale të Shqipërisë, publikoi të dhënat edhe për udhëtimet e kryeministrit Edi Rama me çarter. Sipas kësaj faqe, në vitin 2021 kryeministri i Shqipërisë vendosi një rekord duke kryer rreth 33 udhëtime me çarterin kryeministror, Ismailin.

Në fakt, debatet për kostot e udhëtimeve të kryeministrit me çarterin e tij personal kishin nisur që më parë. Partia Demokratike e kishte akuzuar drejpërdrejtë Edi Ramën se kishte shpenzuar mbi 20 milionë euro për udhëtimet e tij jashtë vendit me çarter. Por Rama i ka mohuar gjithmonë akuzat.

Historia e çarterit kryeministror nisi në vitin 2020, kur drejtoria e Shërbimeve Qeveritare lidhi një marrëveshje me kompaninë ‘Air Albania’ për të marrë me qira një aeroplan ‘Airbus A319-100’. Aeroplani i konfigurimit ‘Vip’, që mund të akomodojë deri në 32 pasagjerë përdoret ekskluzivisht vetëm nga kryeministri. Sipas marrëveshjes, Air Albania faturonte Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare për kostot dhe kjo e fundit ja përcillte faturën kryeministrisë.

Por edhe pse presioni për të bërë transparencën e shifrave ka qenë i lartë si nga politika ashtu dhe nga media, drejtoria e shërbimeve qeveritare dhe kryeministria i kanë mbajtur ato gjithmonë të fshehta. Në një pikë të caktuar, qeveria iu përgjigj akuzave duke deklaruar se kompania Air Albania ja kishte dhënë çarterin kryeministrit për të përdorur imazhin e tij si marketing për kompaninë.

Air Albania është kompania flamur e udhëtimeve në Shqipëri. Aksionet e saj zotërohen nga tre ortakë. Kompania publike Albcontrol mban 10 për qind, Turkish Airlines ka 49 për qind dhe pjesa tjetër prej 41 për qind zotërohen nga kompania private MDN Invesment e biznesmenit Sinan Idrizi.

Kur qeveria deklaroi se Air Albania ja kishte dhënë çarterin kryeministrit falas për imazh, sigurisht që përgjigja nuk bindi askënd. Agjencia BIRN publikoi një investigim, sipas të cilët kostoja e një ore fluturim e avionit të kryeministrit shkon deri në 15 mijë euro. Edhe sikur Air Albania të mbante vetëm një qira simbolike për avionin, sërish mbeten kostot operative si karburanti, pilotët, tarifat aeroportuale, mirëmbajtja etj. Kush i paguan këto para?

Qeveria nuk e tregon, pavarësisht kërkesave të shumta për informacion nga media. Por ndoshta tani nuk ka nevojë. Dy ditë më parë, qeveria mori një vendim për të zgjatur me një vit koncesionin e markimit të karburanteve. Në letra, pronarja fundore e konçesionit është një shtetase turke e quajtur Nerve Korkmaz. Zonja Korkmaz më parë ka qenë bashkëpuntore shumë e ngushtë e Sinan Idrizit, gjatë kohës që drejtonin ekipin e Flamurtarit.

Dyshimet janë se pronari real i koncesionit të markimit është zoti Idrizi, aksioneri më i madh i kompanisë Air Albania, që i ka dhënë çarterin kryeministrit. Në këtë pikë natyrshëm lind pyetja, a ishte markimi fatura që qytetarët shqiptarë paguan për udhëtimet e kryeministrit? Sigurisht që kjo meriton transparencë, ndoshta edhe hetim. Se mos na del edhe këtu ndonjëri që ka ngrënë dardha./oligarkia


Shtuar 11.08.2023 09:26