Si do veprojë nëse do e shkarkojë Berisha? Përgjigjet Lulzim Basha

“Zoti Berisha nuk është një gjendje të marrë asnjë vendim të tillë. Ai është i pezulluar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe çdo ditë me sjelljen dhe me gjuhën e tij linçuese për fat të keq po bie poshtë e më poshtë…”

Kryedemokrati Lulzim Basha është i bindur se 11 dhjetori nuk do të jetë dita në të cilën ish-kryeministri Sali Berisha do të vulosë shkarkimin e tij.

Në një intervistë, Basha tha se Berisha nuk është në gjendje të marrë një vendim të tillë, pasi është pezulluar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.

Basha shton se Berisha gjuhën e tij linçuese për fat të keq po bie poshtë e më poshtë e se madje po sulmon edhe gratë e Partisë Demokratike.

Pjesë nga Intervista:

Pyetje: A po shkon Partia demokratike drejt një ndarjeje mosbesimi, ku secila prej palëve ka thirrur një datë për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar.

Lulzim Basha:  Nuk ka palën në Partinë Demokratike, ka një Parti Demokratike, ka një Kuvend më 18 dhjetor, sipas vendimit të Kryesisë së Partisë Partisë Demokratike dhe Partia Demokratike padiskutim ka një debat të brendshëm, do ta ketë gjithmonë, liria e mendimit është diçka, ndërsa abuzimi me lirinë e mendimit dhe të shprehjes është diçka tjetër.

Prandaj them që nuk ka palë, ka një individ, i cili po përpiqet ta përdor Partinë Demokratike si mburojë ndaj halleve dhe problemeve personale që ka pas shpalljes së tij “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë arsye Kuvendi i 18 dhjetorit do të jetë një Kuvend bashkimi i të gjithë demokratëve dhe bashkimi do të jetë për aspiratat dhe hallet e demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve dhe jo në funksion të një individi kushdo qoftë ky.

Pyetje: Zoti Berisha është i vendosur për të mbajtur Kuvendin e thirrur sipas tij nga delegatët në datën 11 dhjetor ku me shumë gjasa, në fakt do të jetë edhe shkarkimi juaj. Çfarë do të bëni ju pas këtij vendimi zoti Basha?

Lulzim Basha:  Zoti Berisha nuk është një gjendje të marrë asnjë vendim të tillë. Ai është i pezulluar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe çdo ditë me sjelljen dhe me gjuhën e tij linçuese për fat të keq po bie poshtë e më poshtë. E dëgjuat ditët e fundit se si drejtpërsëdrejti apo përmes sulmeve të orkestruara nga ai, po sulmon drejtueset zonja e Partisë Demokratike me një gjuhë të ulët dhe të poshtër, madje do të thoja edhe më të ulët se ajo që ka përdorur Edi Rama kundër drejtuesve gra të Partisë Demokratike. Kjo sigurisht më mbush me keqardhje, por është zgjedhja e tij. Është ai që ka zgjedhur tashmë t’i ndajë rrugët me vlerat dhe parimet që na mbajnë bashkë në këtë familje. Por një gjë është e sigurt, askush, as Sali Berisha nuk i mbivendosen dot asnjë anëtari tjetër dhe nuk i mbivendosen dot rregullave që na mbajnë bashkë në shtëpinë e lirisë që është statuti dhe vlerat e kësaj partie.

Pyetje: Por, nëse kjo gjë do të ndodhë a do t’i përgjigjeni ju në të njëjtën mënyrë duke përjashtuar zotin Berisha nga Partia Demokratike?

Lulzim Basha: Për fat të mirë Partia Demokratike dhe unë nuk veprojmë në bazë të nëse. Nëse-të, i takojnë një individi i cili pasigurinë e tij dhe nevojën për ta përdorur apo keqpërdorur Partinë Demokratike dhe demokratët si mish për top në një luftë me aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kalon nga paradoksi në paradoks, çfarë thotë sot nuk thotë nesër. Një gjë është e sigurt që gjithmonë e më shumë po njehsohet edhe në verb me kundërshtarin e Partisë Demokratike dhe me kundërshtarin e shumicës së shqiptarëve që është Edi Rama dhe regjimi i tij. /tv klan

 


Shtuar 22.11.2021 16:28