Basha nxjerr videon: Berisha më ka bërë sulmin me të ulët, besa e vetme që kam lidhur me të kur isha 17 vjeç

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka ndarë një video nga intervista me gazetarin Robert Rakipllari, ku ndër të tjera ka folur dhe për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Basha në video shprehet se e vetmja shpresë që ka lidhur me Berishën ka qenë kur ishte 17 vjeç, e cila ishte për angazhimin angazhimin dhe përkushtimin e tij për demokracinë, për Partinë Demokratike, për demokratët, për Shqipërinë.

“Tani sa i përket besë prerjes, që është një nga sulmet më të ulëta që është bërë në këto 2 muaj nga Sali Berisha. Nuk ka patur kurrë një besë midis meje dhe Sali Berishës për t’i rënë me shkelm sakrificës së demokratëve nëse cënohej interesi i njërit apo i tjetrit, për të mbrojtur shpinën e njërit apo të tjetrit. Jo! Me Sali Berishën na ka lidhur një tjetër besë nëse mund ta them këtë. Që e ka ditur ta vlerësojë edhe publikisht. Besa e vlerave euroatlantike, që na çoi dhe e çoi Shqipërinë në NATO, besa e interesit kombëtar për pavarësinë e Kosovës dhe njohjes së saj ndërkombëtare. Besa për interesat më të mira të shqiptarëve që nga heqja e vizave, tek ndërtimi i infrastrukturës moderne. Kjo ka qenë besa nëse mund të themi besë që kemi lidhur me njëri-tjetrin. Dhe jo t’i binim me shkelm sakrificës së demokratëve nëse cënoheshin interesat personale të tij apo të miat. Kjo është e vërteta! Dhe gjithçka tjetër është një spekulim i pastër për të mbrojtur hallet dhe problemet personale të Sali Berishës”, thotë Basha./albeu.com


Shtuar 14.11.2021 17:23