Plagosi nënën me gërshërë dhe më pas policin, zbardhet ngjarja që tronditi Gjirokastrën

Zbardhet ngjarja që tronditi mbrëmjen e sotme Gjirokastrën ku mbeti i plagosur një efektiv policie.

Mësohet se autori është një 29 vjeçar në gjendje depresive, i cili më herët plagosi nënën me gërshërë.

Rreth orës 20:05, në Sallën Operative ka ardhur njoftim se shtetasi K. A., 29 vjeç, banues në lagjen “11 Janari”, Gjirokastër, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor, kishte plagosur me gërshërë nënën e tij dhe po e kërcënonte për ta vrarë.

Menjëherë ka shkuar Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Gjirokastër dhe agjentët e Policisë Kriminale, të cilët i kanë bërë thirrje 29-vjeçarit të dorëzohej, por ky i fundit ka tentuar të vriste nënën e vet dhe në atë moment agjenti i Policisë Kriminale E. L., 30 vjeç, ka ndërhyrë për të shmangur goditjen dhe për pasojë autori ka plagosur në gjoks punonjësin e Policisë, i cili është transportuar së bashku me nënën e 29-vjeçarit, shtetasen I. A., 59 vjeçe, në Spitalin Rajonal Gjirokastër, për ndihmë mjeksore.

Momentalisht shtetasja I. A. dhe punonjësi i Policisë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Me ndërhyrjen e punonjësve të tjerë të Policisë është bërë neutralizmi i 29-vjeçarit, i cili ndodhet i shoqëruar në ambientet e Policisë.


Shtuar 24.06.2020 20:01