Shqiptari digjet i gjallë brenda fabrikës së kanabisit në Angli

Një shqiptar është djegur i gjallë mes zjarrit të rënë në një fabrikë kanabisi në Britani.

Sipas mediave të huaja, 43-vjeçari u zhduk pasi flakët shpërthyen mbrëmjen e së enjtes (4 qershor) në Brierley Hill.

Një tjetër shqiptar, rreth të 20-ve, mbijetoi por mori plagë të lehta dhe është larguar nga spitali pas marrjes së mjekimit.

Ende nuk është bërë i ditur identiteti i tyre teksa, të shtunën, Policia e West Midlands tha se shqiptarët ishin mbyllur në njësinë industriale pasi u trafikuan në Mbretërinë e Bashkuar.

Zjarri u zbulua rreth orës 7.30 pasdite të enjten dhe viktima vdiq të nesërmen.

“Njësia, e përdorur për rritjen e kanabisit në një shkallë industriale, ishte e bllokuar që do të thotë se këta njerëz nuk kishin asnjë mënyrë për t’i shpëtuar zjarrit,” tha policia në një deklaratë.

Ndaj viktimës do të kryhet autopsia për të përcaktuar qartë shkaqet e vdekjet.


Shtuar 9.06.2020 15:36