Marrëveshja në Ohër, opozita serbe kërkon dorëheqjen e Vuçiçit

Opozita në Serbi i ka reaguar ashpër presidentit serb Aleksandar Vuçiç për arritjen e pajtueshmërisë mes tij dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit. Madje lideri i Lëvizjes së djathtë Dveri, Boshko Obradoviq, kërkoi dorëheqjen e Vuçiçit, si zgjidhje e vetme e krizës politike. Duke kërkuar madje protesta nga qytetarët ai ka thënë se Vuçiç në mënyrë të paautorizuar ka marrë përsipër obligimin që të fillojë zbatimin e Marrëveshjes të cilën ai e vlerëson si grushtet.  Ish shefi i diplomacisë serbe Vuk Jeremiq marrëveshjen e quajti tradhti.

“Kjo tradhti e lartë mund të parandalohet vetëm me referendum”, ka shkruar ai.

Edhe partitë opozitare në Kosovë PDK e LDK e kritikuan kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për arritjen e pajtueshmërisë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç . Liderët e dy partive më të mëdha opozitare në Kosovë Memli Krasniqi i PDK-së e Lumir Abdixhiku kanë reaguar vetëm përmes rrjeteve sociale.

Krasniqi ka thënë se në më pak se tri javë, kryeministri Albin Kurti pranoi gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte. Ai tha se kjo marrëveshje është e pamjaftueshme për Kosovën dhe që nuk i arrin qëllimet shtetërore e qytetare dhe se brezat e ardhshëm do ta trashëgojnë për vite me radhe konfliktin e ngrirë me Serbinë.

Abdixhiku tha se epilogu i Kurtit si kryeministër në dialog, është “mashtrim dhe humbje e një mundësie historike”. “Një kauzë politike e rremë – që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë – përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjeshtë u zhbënë”, ka thënë ai. Të dy e kanë përmendur edhe çështjen e njohjes reciproke dhe Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Maqedonisë Dimitar Kovaçevski tha mbrëmë në Ohër se ujdia mes Kurtit e Vuçiçit është tregues i mirë se rajoni është në rrugë të mbarë drejt BE-së.

“Vlerësoj se pajtueshmëria e sotme për zbatimin e Aneksit, përfshirë edhe pajtueshmërinë për zbatimin e plotë të obligimeve nga marrëveshjet paraprake të dialogut është e arritur. Paqja, pajtimi dhe zhvillimi ekonomik janë parakushte kyçe për proces të shpejtuar për tërë Ballkanin Perëndimor drejt BE-së” – Dimitar Kovaçevski, Kryeministër i Maqedonisë.

 Me përgëzime për palët dhe me pak nota dyshimi, reagoi kryeministri Shqiptar Edi Rama. “Le të shpresojmë që djalli të mos fshihet në detaje sonte dhe që marrëveshja e rënë dakord por e pa nënshkruar të mos jetë një tjetër mashtrim ballkanik! Përndryshe kjo do të ishte një arritje historike që do të shpallte një pranverë të shumëpritur në marrëdhëniet mes dy kombeve më të mëdha të Ballkanit”, ka shkruar Rama.

Presidenti shqiptar Bajram Begaj ka thënë se ky dakordësim është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian. Pos reagimeve në Kosovë dhe Serbi, marrëveshja e mbrëmshme bëri jehonë edhe në arenën ndërkombëtare. Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Adrienne Watson tha se SHBA-ja kërkon që Kosova dhe Serbia të fillojnë sa më shpejt me zbatimin e detyrimeve që sjell kjo marrëveshje. Gjermania e ka quajtur lajm të mirë arritjen e marrëveshjes . Zëdhënësi i Qeverisë gjermane Shtefen Hebestreit ka thënë se palët tani duhet ta zbatojnë marrëveshjen. /alsat.mk


Shtuar 20.03.2023 10:32