Gjon’s Tears merr një tjetër ftesë për Eurovizion? Ja sugjerimi për Ronela Hajatin

Gjon’s Tears, djaloshi i talentuar shqiptar që ka befasuar me pjesëmarrjen e tij në Eurosong dhe jo vetëm, ka publikuar një tjetër hit të titulluar “Silhouette”. Një këngë emocionuese të cilën e prezantoi në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçi. Sipas tij, kjo këngë flet për ndjenjën e dhimbjes kur le pas vendin tënd, pa e ditur se çfarë të pret në një tokë të huaj.

“Silhouette është sikur gjyshja ime që sheh babin tim duke ikur, a po vjen më apo jo. Zgjedhja është diçka që doja të fokusohesha në këtë këngë, dhe silueta janë ata njerëz që kanë ikur pa e ditur fatin e tyre.” – shprehu Gjon ekskluzive për ‘Abc e pasdites’.

Por “Silhouette” nuk është e vetmja surprizë nga kantautori. Ai zbuloi se shumë shpejt do të vijë më një album të tijin, një punë disa vjeçare të cilës po i kushton të gjithë kohën që ka. E teksa zbuloi dhuratën për fansat e tij, gjithashtu bëri të ditur se pjesëmarrja në kompeticionin europian ende po e ndiqte pasi një shtet i kishte kërkuar Gjonit t’i përfaqësonte.

“Një gjë që më erdhi shumë për të qeshur është një propozim për të shkuar prapë, për një shtet tjetër, në Eurovision. Më ka ardhur propozimi, ka një javë ose dy. Por nuk do e bëj më. Unë tani kam projektin tim që është albumi, kjo është kryesorja.” – tha këngëtari pa e zbuluar se për cili shtet bëhet fjalë.

I pyetur nga Ermal Peçin si e komenton performancën e Ronela Hajatit në Festival dhe çfarë pritshmërishë ka ai për Shqipërinë në kompeticion, Gjoni u shpreh shumë pozitiv. Madje ai vendosi ta këshilloj mikëshen e tij publikisht, duke thënë:

“E para të jetë në jë ambjent të mirë me gjithë delegacionin e saj. Ka shumë shtete që ngaqë nuk janë mirë me stafin e tyre, dallohet energjia negative, shihet në tv dhe duket që nuk është e sinqertë. Të bëj diçka që vërtetë do ta mbrojë në skenë, dhe të kënaqet ta shijojë. Duhet ta dijë që këngën do e këndoj çdo ditë për dy javë dhe duhet të përgatitet shumë.”


Shtuar 18.01.2022 18:35