Arrihet marrëveshja, Pjanic dhe De Sciglio te Barcelona, Arthur Melo te Juve

Sipas së përditshmes katalanase “Sport”, Juventusi dhe Barcelona kanë gjetur akordin për një operacion të bujshëm në merkaton e verës, i cili kap vlerat 60 milionë euro.

Matia de Shiljo dhe Miralem Pjaniç do të shkojnë në Katalonjë, ndërsa Artur Melo do të presë biletën për në Torino.

Katalanasit janë duke bindur brazilianin që të pranojë të transferohet në Serinë A, pavarësisht se ai dëshiron të qëndrojë te Barcelona. Por, qëndrimi në stol për disa ndeshje radhazi është një sinjal i qartë i klubit dhe i trajnerit Setien që Artur Melo duhet t’i thotë “po” Juventusit dhe si bardhezinjtë, ashtu edhe Barcelona, duhet që t’i mbyllin këto marrëveshje brenda 30 qershorit sepse duhet të përmirësojnë bilancin e tyre.

Për ta zyrtarizuar këtë marrëveshje duhet thjesht të bindet Artur, i cili po qëndron fort në idenë e tij. Juvja i ofron 5 milionë euro rrogë dhe bonuset. Nëse ai do të thotë “po”, atëherë operacioni mund të mbyllet shumë shpejt dhe të gjitha palët do të jenë të lumtura. Përveç kësaj piste, Barcelona është duke punuar edhe për të afruar një sulmues. Vështirësitë për të gjetur një akord me Interin (për pagesën) për Lautaro Martinezin i kanë detyruar drejtuesit që të hedhin vështrimin nga Nejmari.Lautaro Martinez (R) of FC Internazionale scores the opening

Barcelona e ka të vështirë që të nisë bisedimet me PSG-në, por dëshira e madhe e sulmuesit brazilian për t’u rikthyer mund të shërbejë për të shtruar terrenin. E sigurt është që vetëm njëri prej Nejmarit apo Lautaros do të përfundojë te Barcelona, sepse të dy kushtojnë shumë. Por, diçka më shumë rreth çështjeve “Pjaniç”, “De Shiljo” dhe “Lautaro” do të mësohet gjatë kësaj jave, kur emisarë të klubit spanjoll pritet që të udhëtojnë në Itali, fillimisht në Torino e më pas në Milano, në selinë e Interit.


Shtuar 22.06.2020 19:27