Shqiptarët të “çmendur” pas çokollatës, sa ton është konsumuar vitet e fundit

Konsumi i çokollatës ka shënuar sërish rritje dy vitet e fundit, pas rënies që shënoi në 2017-n. Të dhënat e Comtrade bëjnë të ditur se importet e çokollatave dhe produkteve të saj në vitin 2019 arritën në rreth 4 milionë kg, apo rreth 16.5 milionë dollarë.

Një pjesë të konsiderueshme të importeve të çokollatave e produkteve të saj e zë edhe çokokremi, që rezulton mjaft i konsumuar në Shqipëri edhe pse nuk rekomandohet për shkak të përdorimit të vajit të palmës .

Importi zë peshën kryesore, ndërsa prodhimi vendas i çokollatës mbetet informal, i fragmentarizuar (mungojnë fabrikat e mëdha) dhe praktikisht është i pamatshëm.

Duke u nisur nga të dhënat e importit dhe popullsisë, nga përllogaritjet e “Monitor” rezulton se konsumi për frymë i çokollatës ishte rreth 1.4 kg në vit në 2019.

Konsumi i çokollatës tek ne mbetet shumë më i ulët në krahasim me shtetet e tjera, sidomos ato të njohura për prodhimin e produktit të ëmbël.

Sipas të dhënave të Statisca.com, konsumatori më i madh në botë i çokollatës është Zvicra, me gati 9 kg për frymë në vit. Zvicra është e njohur për çokollatën e saj. Gjermanët janë gjithashtu të varur pas çokollatës me një konsum për frymë që arrin në 8.4 kg. Edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konsumi mbetet relativisht i lartë, në 5.5 kg për frymë.

Shtetet që e përdorin më pak çokollatën janë ato aziatike, teksa në Kinë, konsumi për frymë për vitin 2015 ishte vetëm 200 gram.

Shqiptarët importuan 2.2 milionë kg çokollatë nga vendet e BE-së, gjeografia nga vijnë

7 korriku ishte dita botërore e çokollatës. Eurostat ka publikuar të dhënat mbi importin dhe eksportin e çokollatës nga vendet e saj anëtare.

Shqipëria, sipas Eurostat, ka importuar nga vendet e Bashkimit Europian 2.2 milionë kg çokollatë në vitin 2019, ose gati gjysmën e sasisë së importuar në total.

Shteti kryesor nga i cili importojmë më shumë nga produkti i ëmbël është Kroacia, me 289% të totalit. Më pas renditen Holanda (20%), Gjermania, (19.7%), Greqia (12%), Italia (6%), Belgjika (5.8%).

BE

2.2 milion ton çokollatë u eksportuan nga Shtetet Anëtare të BE-së në vitin 2019, 66% e të cilave shkuan në vendet e tjera anëtare të BE-së, sipas Eurostat. Eksportuesit kryesorë të çokollatës dhe shufrave të çokollatës ishin Gjermania (640 000 ton ose 30%), e ndjekur nga Belgjika (300 000 ton ose 14%), Holanda (290 000 ton ose 13%), Polonia (230 000 ton ose 10%) dhe Italia (180 000 ton ose 8%). Këto pesë shtete anëtare të BE-së eksportuan tre të katërtat e totalit të shifrave me çokollatë dhe çokollatë të BE-së.

220 000 ton janë importuar nga vendet anëtare të BE-së nga vendet jo-BE, nga të cilat 100 000 ton kanë ardhur nga Mbretëria e Bashkuar dhe 70 000 ton nga Zvicra.


Shtuar 13.07.2020 07:21