DETAJET/ Me thikë e levë kreu 11 vjedhje, arrestohet makthi i durrsakëve

Policia ka vënë në pranga një të ri i cili ishte kthyer në makthin e durrsakëve.

Në pranga ka rënë një 21 vjeçar i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes, si dhe procedohet në gjendje të lirë një tjetër.

Burimet zyrtare bëjnë me dije se i riu është përgjegjës për 11 vjedhje të dokumentuara në qytetin e Durrësit.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Hijet e natës”

Arrestohet në flagrancë një 21 vjeçar i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes, si dhe procedohet në gjendje të lirë një tjetër.

Zbardhen dhe dokumentohen 11 vjedhje të ndodhura në qytetin e Durrësit.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një thikë, një levë hekuri dhe një maskë të cilat i përdornin për kryerjen e vjedhjeve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, në kuadër të operacionit të koduar “Hijet e natës”, arrestuan në flagrancë shtetasin:

A.D., 21 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja” si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi E.Xh, 17 vjeç.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 18.07.2020, në lagjen nr.3, Durrës, dyshohet se kanë vjedhur në lokalin e shtetasit A.N., ku kanë marrë 10.000 lekë.

Nga hetimet e kryera rezulton se këta shtetas, gjatë këtij muaji në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit, kanë kryer edhe 10 vjedhje të tjera, kryesisht në lokale dhe një dyqan të një kompanie celulare, ku kanë marrë sasi të konsiderueshme parash, aparate celular e sende të tjera, vjedhje këto të dokumentuara me prova filmike.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një thikë, një levë hekuri dhe një maskë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 19.07.2020 16:45