Sëmundja misterioze godet qytetin
Frikë dhe zemërim është përhapur anembanë qytetit LeRoy në shtetin Nju Jork. 19 vajza të reja janë prekur nga një sëmundje e panjohur. Sëmundja u shfaq papritur gjatë një mbledhjeje emocionale mes mësueve dhe nxënësve të shkollës së mesme të qytetit

Spazma, dridhje, lëvizje të pakontrolluara të kokës e gjymtyrëve janë përjetuar nga rreth 20 vajza adoleshente në LeRoy, një qytet rural në veri të shtetit Nju Jork.

Frika e sëmundjes misterioze është e pranishme. Sjelljet e njerëzve sikur kanë ndryshuar, megjithëse qyteti përbëhet nga një komunitet i ngushtë, ku thuajse çdo njeri e njeh tjetrin. Prindërit e zemëruar ballafaqohen me administratorët e shkollës. Ata janë të shqetësuar se deri tani nuk kanë marrë ndonjë përgjigje mbi shkakun e sëmundjes që filloi në mjedisin e shkollës.

Pas shqyrtimit të çështjes, Departamenti i Shëndetësisë së shtetit Nju Jork arriti në përfundimin se mjedisi a prona e shkollës nuk ishte shkak për sëmundjen, sepse po të ishte ndryshe, sëmundja do të kishte prekur shumë më tepër nxënës.

Neurologët që kanë trajtuar shumë prej të sëmurëve besojnë se ky është një rast psikomatik i njohur si “çrregullim Konvertimi” që mund të shkaktohet nga konflikte psikologjike. Doktor Laszlo Mechtler i Institutit Neurologjik DENT, thotë se çrregullimi i Konvertimit ndikon në grup tek vajzat e reja dhe kryesisht në komunitete të mbyllura ku të rinjtë shfaqin simptoma të ngjashme. Dr. Mechtler thotë se një rast i tillë psikomatik nuk ka ndodhur që prej shekullit të 16-të.

Por kritikët thonë se ky arsyetim nuk mund të shpjegojë pse një infermiere 36 vjeçare ka filluar të shfaqë të njejtat simptoma me ato të vajzave adoleshente të prekura nga kjo sëmundje ende e pashpjegueshme.

Autoritetet kanë në plan të analizojnë ujin e pijshëm të shkollës për ndonjë kimikat si shkaktar të mundshëm, ndërkohë që frika ka përçarë këtë komunitet të ngushtë.
Shtuar më 09/02/2012, ora 10:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori