Jetonin pa çati mbi kokë, kushtet ekstreme e çuan kryefamiljarin në vetëflijim

Një familje në Rrushkull të Durrësit jeton në kushte mjerane që kur kryefamiljari i dha fund jetës. Kushtet e rënda ekonomike e detyruan kryefamiljarin të vetëflijohej, duke lënë 4 anëtarët e tjerë në mëshirë të fatit dhe pa kushtet as minimale.

Rreth 15 minuta larg nga Sukthi i Durrësit ndodhet fshati Rrushkull ku prej vitesh jeton në varferi dhe familja Rizvani.

Në këtë shtëpi pa çati jetojnë 4 anëtaret, e zonja e shtëpisë me dy vajzat dhe djali. Sikur mos mjaftonte varfëria, ata vuajnë nga probleme të ndryshme shëndetësore.

“Nuk jam vetëm unë e sëmurë por të gjithë familjarisht.”

Situata e rëndë ekonomike ka ndikuar në përkeqësimin e shëndetit.

“Kam dhimbje të fortë te gjunjët, nuk duroj dot. Ilaçet nuk më bëjnë efekt. Jemi shumë në hall të madh.”

Drama e familjes nuk përfundon këtu.

1 vit më parë kryefamiljari vendosi ti japë fund jetës. Dhimbja që la pas shihet ende në sytë e dy vajzave.

“Ishte shumë i mërzitur por e mbante përbrenda. Punonte natë dhe ditë, e zinte gjumi me çizme, me kokë në tavolinë.”

Entela dhe Havaja thonë se varfëria e detyroi babain e tyre të marrë këtë vendim ekstrem.

“Babi më ka ikur nga mërzitja, mua nuk më tret dheu tha për fëmijët.”

“Bosh duket shtëpia, më mungon.”

Fati i keq e ka përndjekur edhe më herët këtë familje.

Vite më parë ndërtesën e ngritur me mund e përfshinë flakët, duke i djegur dhe ato pak orendi.

“Është djeg një shtëpi dhe është bërë hi. Vetëm kemi shpëtuar si rob.”

“Prandaj kemi mbetur kështu, e ka bërë babi avash-avash por nuk e përfundoi dot.Një tualet me u la, pa u la nuk rrihet. E kemi jashtë pa çati, marrim frymë kot, jemi kot!”

Jeta ka qenë e pamëshirshme per to. Përpjekjet për të luftuar varfërine kanë qenë të shumta por nuk ja kanë dalë dot, ndaj apelojnë për rindërtimin e shtëpisë të cilën nuk mundën kurrë ta përfundonin. /oranews


Shtuar 2.10.2020 19:17