Fëmijët shqiptarë harxhojnë një kohë të madhe para
ekranit të televizionit, por edhe të kompjuterit, ndërkohë që specialistët vënë alarmin për jetën
sedentare të tyre. “Numri i fëmijëve që harxhojnë në ditë tri orë ose më shumë para
ekranit është vërtet i madh, rreth 58 % e të gjithë të anketuarve.
Të dhënat flasin për një situatë aspak të pranueshme dhe negative, ndërkohë që rekomandimet sugjerojnë që fëmijët nuk duhet të shikojnë më shumë se një deri në dy orë televizion dhe video”, bëhet e ditur nga një studim i Institutit të Shëndetit Publik, lidhur me sjelljet e shëndetshme të fëmijëve në shkolla.
Specialistët vënë theksin tek harxhimi i kohës në televizor/video dhe në internet si "kosto" në raport me kohën që fëmijët duhet të harxhojnë për të bërë mësimet e shkollës çdo ditë. "Sa më shumë kohë në televizor dhe internet aq më pak kohë për mësimet e shkollës dhe leximin e librave jashtë klase, që shkolla kërkon për nxënësit", vërejnë ata.
Por mënyra e sjelljes
sedentare ndikon
negativisht në konsumimin e energjive, duke rritur probabilitetin e obezitetit tek fëmijët. Po kështu, kalimi i tepërt i kohës përpara
ekranit të televizorit/videos, apo para kompjuterit ndikon
negativisht edhe në socializimin e fëmijës. Kjo sjellje e bën fëmijën të rritet i vetëm, e bën individualist, e bën të mbyllur në botën e vet dhe jo të hapur.
Shtuar më 10/12/2011,
ora 11:24