Leksione dashurie kundër divorcit
Pëlqej
Albeu.com
Moda e re e meshkujve japonezë për t‘i shpëtuar ndarjes së familjes. Nuk ka të bëjë shumë me ndjenjën, por me frikën se me ikjen e gruas u "fluturon" më shumë se gjysma e pasurisë.Fjalë të ëmbla dashurie? Një burrë japonez nuk i di fare se çfarë janë. Maksimumi që një mashkull japonez mund t‘i thotë së dashurës së vet është "anata" që do të thotë "ti", ndërsa ajo e kupton si "e dashur". Po gruas? Asnjëherë. Për gratë nuk ka asnjë fjalë të ëmbël në fjalorin e tyre, maksimumi mund t‘i thonë "ehi", që ngjan më tepër me një tingull të pa artikuluar të ngjashëm me një pasthirrmë se sa një fjalë. Në fakt, shoqatat e grave japoneze prej kohësh po mendonin për një rebelim, sepse të gjitha gratë japoneze ishin të lodhura të prisnin që në mbrëmje bashkëshorti i tyre të kthehej në shtëpi, pasi kishte kthyer ca gota me miqtë dhe pastaj të shtrihej direkt në krevat për t‘u qetësuar. Por fati u ka buzëqeshur edhe atyre. Prej pak kohësh kanë gjetur një rrugëdalje, falë një ligji të vitit 2003, që ka hyrë në fuqi në prill. Ky ligj i lejon gratë të marrin më shumë se 50 për qind të pensionit të bashkëshortit në rast ndarjeje. Pikërisht që kur ligji ka hyrë në fuqi, divorcet në Japoni janë rritur me 6 për qind, ndërkohë pritet që këto shifra të arrijnë maksimumin në një vend ku martesat po bëhen gjithmonë e më të rralla, sidomos për gratë, që prej disa kohësh kanë zbuluar kënaqësinë e të qenit beqare. Por edhe mesogratë, të martuara prej vitesh, nuk ngelen pas: edhe ato kërkojnë të zbulojnë këtë kënaqësi. Në fakt, ato që kanë kërkuar më shumë divorcin në muajt e fundit kanë qenë gra rreth të 50-ve, burrat e së cilave janë afër moshës së pensionit. Në fakt nuk ka gjë më të keqe se sa të kesh gjithë ditën në shtëpi një burrë, i zoti vetëm për të dhënë urdhra dhe për të komanduar: shapkat, gazetën, cigaret, ushqimin! Në Japoni, gratë i konsiderojnë burrat pensionistë si "pengesë", nga ato që nuk mund t‘i heqësh qafe kollaj. Por ligji i ri është plotësisht në anën e tyre. Nuk është e nevojshme të presësh vdekjen dhe pensionin si e ve, sot mund të çlirohesh kollaj nga këto "pengesa" dhe të jetosh si zonjë me gjysmën e pensionit të tij. Por burrat janë organizuar menjëherë për t‘u mbrojtur nga kjo padrejtësi, sepse sipas tyre, "të jesh i divorcuar është njëlloj sikur je i vdekur. Ne jemi tërësisht të paaftë për t‘u kujdesur për veten, për nevojat tona të përditshme", thonë shumë burra japonezë, në moshë mbi 50 vjeç. Për këtë qëllim, është krijuar "Shoqata kombëtare e burrave besnikë". Për momentin, numri i burrave që bëjnë pjesë në këtë shoqatë është rreth 4000, të gjithë me moshë afër asaj të pensionit, të gjithë të trembur deri në palcë nga ideja se gratë e tyre duan t‘u kërkojnë divorcin. "Anëtarët" mblidhen një herë në javë dhe ndjekin kurse për të mësuar t‘i trajtojnë gratë e tyre si qenie të brishta njerëzore, t‘u bëjnë atyre dhurata dhe mbi të gjitha t‘u thonë "të dua". "Është shumë e vështirë, është diçka që bie ndesh me kulturën tonë. Si mund t‘i them të dua. Nuk e bëj dot. Nuk jam aktori i ndonjë filmi amerikan", thotë një burrë 57 vjeç, i cili, edhe ai, ndjek kurset e kësaj shoqate. Ndoshta frika e divorcit e ka detyruar të angazhohet në ushtrimet "detyruese" ku përfshihen: vajtja në shtëpi me një tufë të madhe lulesh për gruan, buzëqeshja, shtrimi i tavolinës herë pas here dhe përpjekja për të kaluar të paktën dy mbrëmje në javë në shtëpi, në shoqërinë e shoqes së jetës. Për rrogëtarët japonezë, koha pas pune konsiderohet një punë e dytë. Për ta është e detyruar të shkojnë të pinë me kolegët dhe shefat deri natën vonë, ndryshe nuk quhen burra të vërtetë dhe nuk mund të bëjnë dot karrierë. Sapo hyn, në selinë e shoqatës të bie në sy një tabelë e madhe ku është shkruar: Mos harro! Kur zihesh me gruan duhet të vazhdosh të përsërisësh vetveten. Nuk mund të fitoj! Nuk dua të fitoj!". Me pak fjalë, burri duhet ta bindë veten se gruaja ka gjithmonë të drejtë, përndryshe divorci është në prag. Drejtori i qendrës i klasifikon burrat që ndjekin kurset e "rehabilitimit sentimental" me nota nga 1 deri te 10-ta. Sipas tij, meriton notën 1 burri që ka qëllime të mira, kërkon të mësojë, por nuk mëson shumë nga frekuentimi i këtyre kurseve, ndërsa notën dhjetë e meriton burri që me sjelljen e tij të përditshme arrin t‘i tregojë gruas që e do vërtet shumë, madje që arrin t‘i thotë, edhe pse me gojë të mbyllur: "të dua". Deri tani, vetëm një burrë në 4000 të tillë, e ka merituar plotësisht notën dhjetë, ndërsa të tjerët i ngjisin me shumë mundim "shkallët", vetëm nga frika e pleqërisë që mund ta kalojnë vetëm. "Burrat japonezë mendojnë se gratë e tyre duhet të kujdesen për ta në çdo detaj, sikur të ishin fëmijë dhe nuk shqetësohen aspak të dinë nëse gratë e tyre ndihen apo jo të lumtura. Por tani, që kërkesat për divorc janë rritur sidomos midis çifteve me moshë mbi 50 vjeç, fillojnë t‘i thërrasin mendjes mirë", thotë një këshilltar për çështjet familjare në Bashkinë e Tokios. Edhe gratë e disa prej "studentëve" vullnetarë të këtyre kurseve, shprehin ndjenjat e tyre, e ndiejnë se po u lindin në zemër mendime të ndryshme për burrat e tyre. Ndoshta dashuri? Një zonjë 54-vjeçare, që pasi kishte analizuar gjërat me kujdes, kishte vendosur të kërkonte divorcin nga bashkëshorti i saj, ngeli pa fjalë kur pa se për ditëlindjen e saj i erdhi në shtëpi një buqetë e madhe me 54 trëndafila të kuq dhe një kartolinë ku shkruheshin fjalë plot dashuri. Ndoshta tani do të kthejë mendje, të paktën kështu ka deklaruar në një emision televiziv, në një nga ato debatet ku kohët e fundit diskutohet gjithmonë e më tepër çështja e divorcit dhe efektet pozitive të kurseve për "rehabilitimin" e meshkujve. Megjithatë ka nga ata që mendojnë se faji nuk është vetëm i burrave. Faji duhet kërkuar te sistemi i raporteve ndërpersonale që duhet rishikuar dhe rrogëtarët nuk duhet të jenë më skllevër të punës dhe të detyruar të shkojnë në lokale pas pune. Fatmirësisht që mes të rinjve këto probleme nuk ekzistojnë ende. /G. Shqip/
Shtuar më 29/11/2007, ora 20:10
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori