Keni dyshime mbi COVID-19? Manastirliu thirrje të rinjve: Mendoni për ata që vuajnë!

Në Shqipëri rinia është akuzuar për përhapje të COVID-19 për shkak të mosbesimit ndaj këtij virusi dhe stilit të jetesës.

Ne Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, ministrja e Shendetesise, Ogerta Manastirliu u eshte drejtuar me nje thirrje te forte gjithe te rinjve shqiptare.

“Sa herë të dëgjoni deklarata të papërgjegjshme mbi ekzistencën e virusit, mendoni ju lutem për ata njerëz që po vuajnë në spital, për shkak se nuk mbushen dot me frymë, me virusin që u ka “pushtuar” mushkërinë. Mendoni pak për të afërmit, që presin me ankth për fatin e njerëzve të tyre të dashur”-apelon ajo.

Mesazhi i Manastirliut:

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, unë kam një thirrje për të gjithë të rinjtë shqiptarë:

Ju lutem, zbatojini masat e thjeshta, për të shmangur infektimin nga Covid-19.

Bëhuni ju mbrojtësit e vetes, të prindërve, të të afërmve, të më të dobtëve.

Pak më shumë kujdes sot, shmang pasoja që nesër mund të rezultojnë fatale.

Sa herë të dëgjoni deklarata të gënjeshtërta, të atyre që pandeminë e shohin jo si rrezik nga i cili duhet të mbrojnë njerëzit, por si shansin që duhet rrokur në ajër për të çoroditur dynjanë me sulme të paprincipta, ndaluni dhe dëgjoni pak edhe thirrjet e ekspertëve të shëndetit, mjekëve, që dinë çfarë thonë dhe çfarë bëjnë dhe që, e kanë treguar me vepra, se i shërbejnë me përkushtim vetëm interesit tuaj.

Sa herë të dëgjoni deklarata të papërgjegjshme mbi ekzistencën e virusit, mendoni ju lutem për ata njerëz që po vuajnë në spital, për shkak se nuk mbushen dot me frymë, me virusin që u ka “pushtuar” mushkërinë. Mendoni pak për të afërmit, që presin me ankth për fatin e njerëzve të tyre të dashur.

Mendoni për gjithë ata mjekë, infermierë, në Spitalin Infektiv në QSUT dhe në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, të cilët që prej marsit nuk po dallojnë më natën nga dita, e që nuk i shohin të afërmit, qysh kush e di se kur.

Mendoni pak: A është vërtet një sakrificë kaq e madhe, të heqësh dorë nga festat e mbipopulluara, nga vendgrumbullimet në plazhe dhe bare, pa distancim fizik dhe masa higjene? Vende që më pas shndërrohen në vatra, ku virusi përhapet me shpejtësi marramendëse?

A nuk ia vlen që edhe për ca kohë, të përshtatemi të gjithë bashkë me një normaliteti të ri, ku kryefjala është KUJDESI, HIGJENA, DISTANCIMI?

E kuptoj indiferencën e moshës, ndaj thirrjeve për një virus që nuk shihet me sy. Por kjo nuk e pengon që ai, virusi ta shndërrojë trupin tuaj në bartës, në rrugëtimin e vet drejt trupit të prindërve dhe të afërmve tuaj. Të cilët, ndryshe nga ju, për shkak të moshës dhe imunitetit, mbase nuk do të ishin në gjendje ta përballonin sëmundjen.

Ju lutem edhe si familjare, si nënë dhe si vajzë prindërish të moshuar: Bëni një “sakrificë” të vogël sot. Ua keni borxh prindërve dhe të afërmve!

Të gjithë po bëjmë maksimumin që mundemi, me kapacitetet që kemi në dispozicion dhe që nuk janë të pafundme, për të përballuar gjendjen e pandemisë.

Por, nuk duhet të ushqejmë iluzione: Pa mirëkuptimin tuaj, pa bashkëpunimin me autoritetet shëndetësore dhe zbatimin e rregullave që këto autoritete kanë nxjerrë, kjo përpjekje bëhet shumë e vështirë.

Gëzuar Festën dhe kalojeni këtë ditë, ju lutem, duke reflektuar pak më shumë mbi peshën e madhe që ka sjellja dhe përgjegjshmëria juaj, në këtë kohë sfiduese që po kalon Shqipëria dhe e gjithë bota.


Shtuar 12.08.2020 09:34