Alkooli, 20% e popullatës probleme të rënda me mëlçinë
Albeu.com
Plot 32 për qind e pensionistëve konsumojnë alkool çdo ditë. 60 për qind e tyre janë konsumatorë të lehtë të alkoolit, të cilët pinë 15 deri në 30 gram etanol në ditë, (afërsisht më shumë se 2 unite).Gati gjysma e pensionistëve konsumojnë pije alkoolike pothuajse përditë


Plot 32 për qind e pensionistëve konsumojnë alkool çdo ditë. 60 për qind e tyre janë konsumatorë të lehtë të alkoolit, të cilët pinë 15 deri në 30 gram etanol në ditë, (afërsisht më shumë se 2 unite). Një studim i "Mjekësisë interne" që ka përfshirë testimin e më shumë se 4500 personave, ka nxjerrë rezultate jo shumë pozitive për popullsinë shqiptare. Përfundimet kryesore të këtij studimi raportojnë se: "konsumuesit e rëndë dhe shumë të rëndë të alkoolit (15 deri në 20 për qind të popullatës), kanë realisht një rrezik të lartë për sëmundje të avancuara si ceroza e mëlçisë. Ky studim i sëmundjeve të brendshme është kryer për të krijuar një rrjet informacioni lidhur me përdorimin dhe shpeshtësinë e konsumimit të alkoolit mes adoleshentëve, të rinjve, të punësuarve, të papunëve dhe pensionistëve.

Pensionistët

E kujt do t‘i kishte shkuar në mendje se pensionistët me aq pak para sa marrin nga pensioni, në menynë e tyre të ditës parashikojnë të kthejnë edhe ndonjë gotë me shoqërinë.

32 për qind konsumojnë çdo ditë alkool dhe po të përmendim edhe sasinë që ata përdorin, sipas studimit rreth 8 për qind e tyre janë konsumues shumë të rëndë të cilët pinë 60 gram etanol në ditë.

Por mbrapa nuk mbesin as adoleshentët dhe as të papunët. Sipas studimit, 48 për qind e adoleshentëve pinë me raste. Rreth 78 për qind e tyre që konsiderohen konsumues të lehtë të alkoolit pinë (1-2 unite në ditë). Mosha mesatare e tyre varion nga 14 deri në 17 vjeç.

Studimi

Sipas studimit duket se edhe të rinjtë nuk mbeten mbrapa me dëshirën për të pirë ndonjëherë. Rreth 55 për qind e tyre pinë alkool me raste. Plot 68 për qind e tyre, të mbiquajtur "konsumues të lehtë" kur pinë, konsumojnë (1-2 unite në ditë).

Ndërkaq, rreth 26 për qind e qytetarëve të punësuar konsumojnë alkool çdo ditë. Ata konsumojnë substanca më shumë se të papunët. "Konsumi i alkoolit është rritur në mënyrë dramatike në vendet e Evropës Lindore. Shqipëria është aktualisht një vend ku përdorimi i pijeve alkoolike me përqindje të larta të etanolit është mjaft i përhapur, duke sjellë si pasojë një rritje të konsiderueshme të rasteve me sëmundje të mëlçisë të shkaktuara prej pijeve alkoolike", thuhet në studim. Sipas specialistëve, qëllimi kryesor i këtij testimi ishte për të siguruar informacionin faktik rreth konsumit të alkoolit në popullatën shqiptare, si dhe evidentimit të masës së rrezikut të sëmundjes së mëlçisë nga alkooli.

Janë mbledhur pyetësorë anonimë nga 583 adoleshentë (14-17 vjeç), 755 studentë, 1647 punëtorë, 1036 të papunë dhe 543 pensionistë. Në total 4569 persona, 65 për qind meshkuj dhe 35 për qind femra me moshë nga 14 deri në 72 vjeç, banorë të zonave urbane dhe rurale nga 7 rrethe të Shqipërisë. Pyetësori përmbante pyetje mbi frekuencën e përdorimit të alkoolit, llojin e pijeve alkoolike, sasinë ditore të konsumit. Pragu i riskut të zhvillimit të sëmundjes së mëlçisë ndodh atëherë kur ishte marrë më shumë se 30 gram etanol brenda një dite.

Konkluzione

Në Shqipëri, konsumi i pijeve alkoolike është gjerësisht i përhapur në popullatë sidomos tek adoleshentët dhe moshat e reja, të të rriturve që janë të prirur për përdorim të rregullt dhe problematik të alkoolit. Duke marrë në konsideratë pragun e rrezikut, prevalenca e sëmundjes së mëlçisë nga alkooli është llogaritur mesatarisht nga 40 deri në 45 për qind. Konsumuesit e rëndë dhe shumë të rëndë të alkoolit (15 deri në 20 për qind të popullatës), kanë realisht një rrezik të lartë për sëmundjet të avancuara si ceroza e mëlçisë. Gazeta Shqiptare
Shtuar më 28/08/2007, ora 11:14
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori