Sythi nën pllangën e brymës!
Albeu.com
(Ese kushtuar gjithë vogëlushëve në Bosnje, Kosovë dhe Siri, të cilët, ende pa e shqiptuar mirë emrin nënë, ikën nga kjo botë e përkohshme, duke i mallëngjyer ato të cilët ende jetonin me gëzimin e çastit të lindjes)


Lot gëzimi! E qara e fëmijës në mungesë të lotit, lajmëroi një tufë rreze, brenda të cilave ngazëllehesh së sodisuri dhe shijuari shpresat shumëngjyrëshe. Nëna pas asaj sfilitjeje, do të mbulohet prej lotit dhe do të mbushet e tëra me shpresë, duke mos bërë zë, vetëm duke falënderuar Krijuesin e gjithësisë në heshtje për këtë dhuratë të përkohshme me një vendtakim të përhershëm. Të rrahurat e zemrës së asaj zemre të posa ndryshuar rrjedhat e jetës, do të qetësohet vetëm pasi nëna ta bashkon trupin e tij me të sajën, bashkim ky që do të bëjë edhe njoftimin e erërave të ndërsjellta, për t’u mos harruar kështu asnjëherë, mbase edhe në mungesë të njëri-tjetrit, era e nënës dhe ajo e fëmijës do të jetë uji që ujit mallëngjimin dhe rrënja që kërkon ujin.
Qumështi i nënës do të jetë kryefjala e kërkesës së fëmijës! Ai me fjalorin e tij pa shkronja dhe vetëm me pasthirrma, do t’i thotë nënës se edhe dy vjet dua që t’i shkumojë buzët e mia të thata me gjumështin tënd, nëse do Ai që bëri të përshtatshëm qumështin për organizmin tim ende të njomë. Përpos thithjes, ai do të kënaqet me erën e këndshme të nënës dhe nëna duke ia ngacmuar me majat e gishtërinjëve hundën e tij të vogël përmes së cilës ia ngrohë gjoksin, vogëlushi ashtu të mbushur gojën plot me qumësht, do të kënaqet së qeshuri. Nëna përmes puthjes në ballë, sikur dëshiron t’i thotë se mjaft qeshe, mbase ky varg qeshjeje po shoqërohet edhe me gulç ngazëllimi!
Toka dridhet. Frutat prej pemëve nxitimthi ia mësyejnë tokës, edhe pse toka sikur dëshiron t’i thotë se tani jam e pafuqishme t’ju mbaj në shtratin tim, ngase të çarat e mia duan të gëlltisin gjithçka që gjendet mbi tokë. Zogjtë këngëtar me shpejtësinë e dritës, pa dëshirën e tyre, trajtësohen në zogjë shtegtarë. Cicërima e dallëndysheve manifeston mallëngjimin e braktisjes së foleve të tyre, të cilët me shumë mund i ndërthuren. Shushurima e barit dhe e gjetheve që krijohej prej rrymimit të murlanit, mori trajtën e një hakërrime të lemerishme. Trëndafili që sivjet nuk kishte çelur sa duhet, përnjëherë u mbulua me një ngjyrë të kuqe, por që nuk ishte e ngjashme me asnjë lloj të ngjyrave. Fjalët e njerëzve që dikur rravgonin nëpër fusha të ndryshme, tani fituan gjymtyrën e lutjeve për liri.
Lot përmallimi! Rrëke lotësh edhe në lumenjë të thatë. Ai që përmes tingujve të çrregullt të të qarit lajmëroi dikur për zbardhëllimën e një ditë të re, sot mallëngjeu atë që dikur në heshtje lotonte. E gjakosën atë që ende nuk ishte ngopur me bardhësinë e gjumështit. Hunda që dikur e ëma e miklonte përmes majave të gishtërinjëve, tani ishte bërë copë-copë prej atij që kishte vetëm pamjeje njeriu. Sot, po ato gishtërinj, tani të mbërthyer me dridherima të çakërdisura, po ia mbledhin copët atij që më nuk kishte mundësi t’ia ngrohë nënës gjoksin, që bëhej përmes lëshimit të ajrit, ngase bishat kishin ndërhyrë, me lejen e Atij që i kishte sprovuar me përzgjedhjeje të lirë, në depon ku bëhej pranimi dhe dhënia e frymës, ku tregohej se jo të gjithë frymorët falënderonin për këtë begati, ndërprerja e së cilës një ditë do ta mundësojë përballjen e atij që frymonte me përbaltje të vlerave njerëzore me atë që frymonte njerëzi!

Shtuar më 14/09/2012, ora 12:43
Tage:

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori