Fryti i lirisë po rënkon!
Albeu.com
Sa i drejtё dhe i mirё ishte, derisa nuk e shijoi ngrohtёsinё e kolltukut!

Pas përfundimit të luftërave që rrodhën nëpër trojet tona, sikur një gjahtar besnik pas kapjes së kafshëve, kam ndjekur rrjedhat e ndërtimit të paqes. Madje së fundmi kam shkruar edhe një roman, ende i pabotuar, “Beteja e paqes”! Kam parë shkelje, padrejtësi dhe llahtari që vështirë gëlltiten. Kam parë edhe seç ecet përpara. Kisha dëshirë të shihja vetëm këso panoramash. Madje shpesh edhe parapëlqeja t’i mbyllja sytë pas shkrepjes së atyre pak të mirave që syri mbërrinte t’i kapte. E mira e mbylljes së syve ishte se një herë mund ta shihje panoramën e bukur dhe në çastin kur i mbyllje sytë, truri bënte ruajtjen e asaj pamje të bukur brenda atij vendi sterrë, ndërsa e mira tjetër ishte se kishe mundësi të ruhesh prej ndonjë panorame të pështirë, që mund të vinte si një bubullim që çante edhe qiellin. Kjo ishte vetëm një përpjekje nga ana ime për ta qëmtuar vetëm të mirën, por lehtë e mposhtuar përballë asaj që mendja kundronte.
Burgosjet, vrasjet dhe anashkalimi i atyre që ishin aktor të drejtpërdrejtë të prurjes së këtyre të drejtave që sot secili prej nesh në formën e vetë i gëzon, pas lufte ishte bërë kryefjala e çdo gjëje. Mbase kishte edhe prej atyre që në luftë ishin dergjur së tepërmi dhe ja tani në hapat e ndërtimit të paqes kishin mbërritur ta trashnin strumbullarin e pasurisë, ku edhe revizionerët më të rryer financiar nuk mund t’ia gjenin fijen, mbase edhe më vështirë burimin e të ardhurave.
Në Maqedoni kishte ecje përpara! Këtë nuk ka të drejtë askush ta mohon. Porse ishte ecje tejet e pamjaftueshme kur dihej mirëfilli se çmim i këtij përparimi me gulçe të shpeshta, ishte gjaku dhe djersa e bijve më të mirë të këtij vendi. Ndaj pakënaqësia me të drejtë ia thotë këngës dhe poezisë, vetëm e vetëm që kënaqësia dhe krekosja t’i thonë vetës pak më ngadal se nuk qenka ashtu siç pandehim ne.
Tani së fundmi, një inçizim i të sati me radhë për thirrje për ndihmë të djalit të një luftëtari dhe të një të rënit, besoj se drithërojë tokën dhe trupat tanë sikur të ishte një tërmet i pambajtur mend ndonjëherë.
Flamuri nëntëvjeçar, djali i të rënit për liri, Rahim Semiut, na trandi harbueshëm zemrat. Ai vuan prej një sëmundje të rëndë të mushkërive, ku aparatet për mjekimin e sëmundjes kushtojnë shumë dhe dhimbjet poashtu janë të rënda.
Ky është fëmijë dëshmori. Ky është fryti i lirisë, mbase gjendja e tij shëndetësore është edhe treguesi më i pastër i gjendjes së lirisë sonë.
Teksa të palagurit prej lufte davarisin rrëfenja për krenarinë e rezultateve të luftës, pjesëmarrësit, pasojat dhe frytet e tyre sot praktikisht e rrëfejnë të kundërtën.
Të paktën ju të lagur prej fjollave të luftës, edhe pse të zhytur shumë thellë në kridhën e padrejtësive ekonomike, përballë këtij manari të bukur, hapni llogaritë financiare dhe plotësojani të paktën nevojat që i duhen patjetër.

Shtuar më 30/01/2013, ora 12:19
Tage:

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori