Urraaaaa! Të gjithë në qeveri
Albeu.com
nga Idaver Sherifi... në këtë rast më shumë duhet menduar rahatllëku i popullit se sa rahatllëku i partive, pasi partitë nuk është se kanë vuajtur ndonjëherë, ata gjithmonë kanë korrur atë që ka mbjellë populli, e populli ato që kanë mbjellur partitë.Përfaqësuesit ndërkombëtarë të pa shpresë ndaj kryefortësisë dhe luftës mes partive shqiptare në Maqedoni, janë detyruar të ofrojnë një zgjidhje që, sipas meje është në dobi të interesave shtetërore por jo edhe në dobi të interesave shqiptare. Ata nuk janë për tu fajësuar, e kanë nga halli. Si duket, e panë se nuk ka zgjidhje tjetër për partitë shqiptare, të paktën thanë ti fusim të gjithë në qeveri dhe të qetësohemi të gjithë.

Po të hyjnë BDI dhe PDSH në qeveri, që do të bëhen rahat do të bëhen, kjo s’ka dyshim, por shqiptarët do të bien rahat apo jo? Dhe në këtë rast më shumë duhet menduar rahatllëku i popullit se sa rahatllëku i partive, pasi partitë nuk është se kanë vuajtur ndonjëherë, ata gjithmonë kanë korrur atë që ka mbjellë populli, e populli ato që kanë mbjellur partitë. E, se çfarë kanë mbjellur partitë e çfarë populli, këtë e dijmë të gjithë!

Sidoqoftë, është shumë e qartë që arsyeja kryesore e një propozimi të këtillë është për të kontribuar në uljen e tensioneve dhe antagonizmave mes dy blloqeve politike shqiptare dhe hyrja në qeveri e të dy partive më të mëdha padyshim që do të zgjidhte këto problem si dhe do të mundësonte edhe arritje më të lehtë të konsensusit ndëretnik mes shqiptarëve dhe maqedonasve për çështje strategjike për Maqedoninë. Por, fakti që këto parti përfaqësojnë një popull që ka pretendime politike të pazgjidhura me shtetin përbën një problem dhe kërcënim për interesat e popullit të cilin ata e përfaqësojnë.

Të jesh në qeveri do të thotë të bësh konsensus për gjërat nga më të thjeshtat e deri te ato më të rëndësishmet me interes kombëtar. Dhe konsensusi kërkon sakrifica, kërkon lëshime, e ndonjëherë kërkon të heqish dorë nga ajo për të cilën ke vendosur të merresh me politikë. Por që konsensusi të jetë konsensus, duhet një forcë nga jashtë e cila do të bëj presion mbi ata që bëjnë konsensusin në mënyrë që të mbrohen interesat e popullit. Në këtë rast, kush do të jetë ai faktor që do të bëjë presion mbi partitë në qeveri për të mbrojtur interesat e popullit?! Në kushte normale, këtë funksion e kryen opozita por nëse dy partitë më të mëdha me mbi 90% të elektoratit shqiptar përfaqësohen në qeveri, kush do të bëj opozitën dhe sa e fortë do të jetë ajo opozitë për ti bërë ballë trysnive dhe presioneve të mundshme?

Atëherë do të kemi një përfaqësim të shqiptarëve pa opozitë dhe ai që është në qeveri do të veprojë si ti dojë qejfi dhe askush nuk do të ketë fuqinë për ti kërkuar llogari pasi mekanizmat e këtij procesi janë shkatërruar. Dhe, në këtë rast, më thoni kush fiton përveç atyre që janë në qeveri?!
_____________
Shkrimi pervec ne Albeu.com eshte botuar edhe ne gazetastart.com dhe ne Gazeten Lajm, Maqedoni.
Shtuar më 21/05/2008, ora 23:42
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori