U bete shume ...!
Pëlqej
Albeu.com
nga Idaver Sherifi... Për mendimin tim, politikanët shqiptarë në Maqedoni, akoma nuk e kanë kuptuar mirë se çka i duhet dhe ç’kërkon populli; ose e kanë kuptuar dhe nuk u pëlqen dhe tani bëjnë rolin e shurdh-memecit.Është për t’u habitur nga fakti që në Maqedoni gjithmonë ka patur me shumicë nga gjërat që nuk na hyjnë në punë dhe pak ose fare nga ato që na duhen. Si duket kështu e ka shkruar Zoti, është pjesë e sprovës sonë dhe s’kemi si e ndryshojmë. Nuk e di se si është gjendja në shtetet e tjera, a kanë edhe ata si ne, tepricë të gjërave të panevojshme apo jo, por këtu në Maqedoni tepricën e kemi me shumicë. Me shumicë i kemi problemet, me shumicë e kemi fukarallëkun por më me shumicë i kemi partitë, të cilat nga dita në ditë, shyqyr Zotit, shtohen.

Lajmi për zyrtarizimin e një subjekti të ri në skenën politike në Maqedoni, më bëri të shkruaj dy-tre fjalë. Me gjithë respektin që kam për iniciatorët e këtij subjekti, mendoj se nuk kishim nevojë edhe për një parti të re. Po, ndoshta kishim nevojë për ide të reja, për njerëz që do bënin diçka ndryshe nga ajo ç’është bërë deri tani, për reforma brenda partive aktuale, por jo edhe për parti të reja.

Ideja e të qenit i “përkëdhelur” i të huajve shpesh i bën politikanët t’u futen aventurave të rrezikshme. Kanë qenë të shumtë ata të cilët janë marrë “seriozisht” nga të huajt për një kohë por që më pas janë shkrirë si akulli në diell. Privilegjet e fillimit janë si “kredi afatshkurtër me interes të lartë” dhe nëse kjo kredi nuk kthehet shpejt, shumë gjëra ndryshojnë.

Për mendimin tim, politikanët shqiptarë në Maqedoni, akoma nuk e kanë kuptuar mirë se çka i duhet dhe ç’kërkon populli; ose e kanë kuptuar dhe nuk u pëlqen dhe tani bëjnë rolin e shurdh-memecit. Politikanët tanë, po zbatojnë të kundërtën e një fjale të një dijetari oriental “Mos i jep kalit mish dhe luanit bar”.

Në një anë ajo që thashë më parë, në anën tjetër çuditem, vallë akoma ka politikanë që besojnë se njerëzit u besojnë fjalëve dhe premtimeve që bëhen me vite të tëra?! Nuk e dinë se togfjalëshi “implementim i plotë i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, avancim i çështjes shqiptare dhe dialog midis bashkësive etnike” është bërë “bajat” pasi njëra fjalë përdoret pandërprerë nga të gjithë, pozita dhe opozita qe prej 7 vjetësh, ndërsa dy të tjerat janë “bismillahi” i të gjitha partive të deritanishme plot 17 vjet dhe tashmë ato fjalë nuk kanë dallim nga fjalët e këngëve të bastarduara që askush s’ua vë veshin?! Pastaj, nuk e kuptoj, me sa sinqeritet premtohet ribashkimi i faktorit ndërshqiptar kur ai që premton është pjesë e një veprimi përçarës?!

Për të mos e zgjatur më shumë, dua t’ju rikujtoj atyre që merren me politikë një gjë thelbësore, të cilën jam i mendimit se e kanë harruar: Njerëzit kërkojnë punë, mirëqenie ekonomike dhe sociale, rritje të standardit të jetesës dhe normalisht edhe realizim të kërkesave politike dhe kombëtare por ato është mirë të “riambalazhohen” pasi në këtë mënyrë nuk i ha më pazari. Si thoni, e kam gabim?!
Shtuar më 04/11/2008, ora 21:22
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori