Sfidat para Maqedonisë
Albeu.com
nga Idaver SherifiE lodhur nga periudha e tejzgjatur e tranzicionit gjatë së cilës Maqedonia përjetoi disa herë kriza të mëdha ekonomike, politike dhe sociale, dhe si rezultat i të cilave ndodhën ngjarjet e Bit Pazarit të Shkupit, Gostivarit, konflikti i armatosur i 2001-shit...E lodhur nga periudha e tejzgjatur e tranzicionit gjatë së cilës Maqedonia përjetoi disa herë kriza të mëdha ekonomike, politike dhe sociale, dhe si rezultat i të cilave ndodhën ngjarjet e Bit Pazarit të Shkupit, Gostivarit, konflikti i armatosur i 2001-shit si dhe shumë ndodhi tjera, Maqedonia tani bëhet gati të ballafaqohet edhe me dy sfida të reja: statusi i Kosovës dhe procesi i integrimit euroatlantik.

Statusi i Kosovës është i një rëndësie të veçantë për Maqedoninë duke patur parasysh përqindjen e lartë të popullsisë shqiptare në këtë vend, orientimin e tyre prokosovar si dhe çështjen e pazgjidhur të kufirit kosovaro-maqedonas.
Maqedonia, çështjen e statusit e shikon si një çelës të stabilizimit ose destabilizimit të vendit. Edhe përkundër garancave të partive shqiptare në Maqedoni, të institucioneve të Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët vazhdimisht shprehen se respektojnë sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Maqedonisë, prapë se prapë asgjë nuk i mjafton palës maqedonase për të “fshirë nga mendja” rezervat dhe shqetësimet të cilat e bëjnë të mos e ndjej veten të sigurtë në këtë drejtim.
Por, realiteti e ka bërë të veten dhe Maqedonia tanimë, nëse jo plotësisht së paku pjesërisht ka ndryshuar kursin politik ndaj Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi. Deri para disa viteve Maqedonia e shihte Kosovën si pjesë të Sërbisë, e emëronte ashtu siç e emëronin edhe vet serbët “Kosova i Metohija” ndërsa shqiptarët i cilësonte si separatistë.
Ja që koha ndryshoi, dhe sot Maqedonia edhe zyrtarisht ka pranuar pavarësinë e Kosovës si një opsion të mundshëm të statusit përfundimtar. Sinqeriteti i këtij opinioni mund të diskutohet por deklarata e qeverisë maqedonase e cila pasqyron këtë opinion është një shenjë pozitive dhe shinjal se Maqedonia tanimë e ka kuptuar se duhet të krijojë dhe zbatojë politika realiste nëse dëshiron të egzistojë dhe të jetë stabile.
Por rezervat dhe shqetësimet nuk është se kanë mbaruar. Sidomos është i theksuar shqetësimi në mundësinë e bashkimit në të ardhmen ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, veprim ky që në qarqet maqedonase shihet si i pashmangshëm, gjë që nuk është e theksuar në atë masë nga vet shqiptarët. Lidhur me këtë u shpreh edhe Dr. Vasil Tupurkovski, ish-përfaqësues i Maqedonisë në ish-Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe momentalisht kryetar i Alternativës Demokratike të Maqedonisë, në një diskutim të zhvilluar në qendrën Wilson në Washington, në janar të këtij viti. Ai duke folur për statusin e ardhshëm të Kosovës thekson se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme ndërsa bashkimin e mundshëm në të ardhmen të Shqipërisë me Kosovën e sheh si “një rezultat të logjikshëm të prirjeve të një kombi për të jetuar i bashkuar”. Ndërsa, sa i përket Maqedonisë dhe reflektimeve të këtij bashkimi të mundshëm ndaj Maqedonisë, ai shprehet se rruga e vetme e Maqedonisë por edhe e shteteve tjera ballkanike është anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe në NATO.

Problem tjetër i cili ka mbetur pezull dhe shqetëson Maqedoninë dhe që ka të bëjë me Kosovën është çështja e përcaktimit të kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë. Para dy vitesh Maqedonia nënshkroi marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Sërbinë dhe Malin e Zi por kjo marrëveshje asnjëherë nuk u pranua nga ana e qeverisë kosovare. Kosova me këmbëngulje kërkonte që demarkacioni i kufirit kosovaro-maqedonas të bëhet pas zgjidhjes së statusit ndërsa nga ana tjetër pala maqedonase çështjen e shikonte si të mbyllur duke u referuar vazhdimisht në marrëveshjen e nënshkruar mes saj dhe Unionit Sërbi - Mali Zi. Pas diskutimesh dhe polemikash të ashpra, çështja përkohësisht është mbyllur dhe pritet që demarkacioni i kufirit të bëhet pas zgjidhjes së statusit përfundimtarë të Kosovës.

Sfida tjetër, po aq e vështirë sa edhe e para është ajo e integrimit në institucionet euroatlantike, si Bashkimi European dhe NATO.
Maqedonia, pas një procesi të gjatë disa vjeçar përfundimisht në mëngjesin 17 dhjetorit të vitit të kaluar fitoi statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ishte kjo një rrugë e gjatë me pengesa nga më të ndryshmet, duke filluar nga kontesti me Greqinë rreth emrit e deri te problemet e brendshme mes shqiptarëve dhe maqedonasve të cilat “morrën fund” me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001, ku shqiptarët fituan disa të drejta kombëtare dhe fetare që nuk i gëzonin. Në fakt, shqiptarët nuk është se fituan shumëçka të re që se kishin pasur më parë, por në njëfarë mënyre ata rikthyen ato të drejta që i kishin të garantuara me kushtetutën e vitit 1974 por që më vonë, me ndarjen nga Jugosllavia dhe shpalljen e pavarësisë së Maqedonisë si shtet i pavarur dhe sovran, ishin marrë dhe nuk gjendeshin në kushtetutën e re të Maqedonisë.
Maqedonia ka shumë gjëra për të bërë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Në rradhë është ligji për përdorim të gjuhës shqipe, i cili pritet të shqyrtohet pas disa muajve por duket se pozita (shqiptare dhe maqedonase) nuk është e disponuar për të shqyrtuar këtë çështje para zgjedhjeve parlamentare të cilat pritet të mbahen pas 4-5 muajve.
Parregullësitë në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar u bënë shkak që Maqedonia të kritikohet ashpër nga bashkësia ndërkombëtare. Kështu që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare Maqedonia duhet të organizojë zgjedhje të lira dhe duhet të mënjanojë parregullësitë dhe manipulimet që mund të bëhen objekt kritike për Bashkimit Europian dhe ndoshta edhe shtyrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim.

Dhe tani, për t’u pëballuar këtyre sfidave Maqedoninë e presin “detyrat e shtëpisë”, realizimi i së cilave do të stabilizojë Maqedoninë dhe t’a bëjë atë më të qëndrueshme dhe më lehtë do t’u përballojë atyre.

Ky artikull është botuar në botuar në Gazetën Start
Shtuar më 19/03/2006, ora 14:02
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori