Po s'folët sot, kur do të flisni?
Albeu.com
Këtë herë nuk do të them që jam i zhgënjyer nga partitë të cilët kanë marrë votën për të mbrojtur interesat tona. Nuk them sepse ata tashmë na kanë “super” zhgënjyer. Më kanë zhgënjyer mua, ju kanë zhgënjyer juve, kanë zhgënjyer fëmijët në djep, kanë zhgënjyer edhe eshtrat e dëshmorëve që gjenden nën tokë. “Kanë lënë kokrrën e namit” thonë vëllezërit tanë nga Shqipëria. Kemi ngelur gojëhapur para indiferentizmit të dy partive më të mëdha të shqiptarëve në Maqedoni, të cilat nuk kanë marrë mundimin të shprehen se janë kundër këtyre akteve të cilat cenojnë rëndë dinjitetin tonë.

I nervozuar me këtë indiferentizëm, një plak në të shtatëdhjetat shprehet, “Haram ju koft vota”. “Haram ju qoftë”, pëshpërita me vete. Po puna është se nuk po e vret kush mendjen e ka hallall ose haram votën, tjera llogari bëhen o xhaxha.
Dikush del në qendër të Shkupit, dhe në vitin 2009, bërtet “shiptari” dhe ata që duhet të reagojnë nuk reagojnë. Pa harruar këtë, vetëm pas dy ditësh, kryeministri ynë, ai që për Bajram shkon edhe në xhami, vendos gur themelin për ndërtimin e sallës së Filarmonisë në themelet e ish xhamisë "Ibni Pajko" dhe sërish ata që duhet reaguar nuk reagojnë.

Dhe ajo që e bren nga brenda njeriun, thotë: More, ç’mendojnë këta se ne, pra populli, jemi aq naiv që ata të cilëve u kemi dhënë votën dhe i kemi bërë përfaqësues dhe udhëheqës tonët, në këto momente kaq të rëndësishme të mos hapin gojën për të thënë të paktën "Nuk pajtohem me ju"?! Nuk presim të parandalojnë këto dukuri, nuk presim që në mënyrë të denjë të mbrojnë dinjitetin tonë, kulturën tonë, pasuritë tona, por të paktën të shprehen se janë kundër dhe se nuk i aprovojnë këto veprime.

Thjeshtë, të tregojnë se “janë me ne apo me ata”. Nuk më pëlqen dhe jam kundër ndarjes “ne dhe ata” por kur “ata” ekzistojnë pse të mos jemi edhe “ne”. Dhe kështu të dashur “zëdhënës” të popullit. Sa të bëni premtime për ato që do të bëni në të ardhmen, reagoni sot, tregoni se edhe ne jemi këtu.

Sot është dita për të mbrojtur dinjitetin tonë, për të treguar se ky shtet është edhe yni aq sa është i të tjerëve. Kështuqë, ose flisni sot ose pushoni së foluri përgjithmonë.
Shtuar më 02/04/2009, ora 20:22
Tage:

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori