Maqedonasit kërkojnë Skënderbeun
Albeu.com
nga Idaver Sherifi S’është hera e parë kjo. Sikur i kishim dëgjuar më parë këto zëra, por jo për Skënderbeun. Më parë pretendimet kishin të bënin me Nënë Terezën shkupjane.Edhe pse e pavërtetë dhe pa asnjë dëshmi, pretendimi i maqedonasve për origjinën maqedonase të Nënë Terezës deri diku mund të kuptohet. Ishte nga Shkupi, ishte e krishterë për dallim nga shqiptarët e Maqedonisë 99% e të cilëve janë muslimanë, shtëpia ku lindi ndodhet në anën sllave të Shkupit, etj, etj. Por tani kjo e Skënderbeut është për t’u habitur. Me siguri ka parë ndonjëri ndonjë ëndërr sepse është aq shumë larg realitetit saqë po të mendosh me vite se çka mund të ketë qenë Skënderbeu pos shqiptarit është gjëja e fundit të thuash se ka qenë maqedonas. Gjithçka fillon pas botimit të tre librave që kanë të bëjnë me historinë e Skënderbeut dhe që janë financuar dhe botuar nga ana e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë si dhe Instituti i Historisë Kombëtare të Maqedonisë. Botimi i këtyre librave nga ana e këtyre institucioneve e dëshpron publicistin maqedonas Petar Popovski i cili pas kësaj vendos t’i shkruaj letër kryeministrit maqedonas Vllado Buçkovski.Në fakt, Popovskit nuk i pengon botimi apo financimi i librave për Skënderbeun, por i pengon financimi i librave të cilët vërtetojnë prejardhjen shqiptare të tij dhe mospërfillja e idesë së tij që “vërteton” prejardhjen maqedonase të Skënderbeut. Në letrën dërguar kryeministrit Buçkovski, publicisti Popovski shpreh edhe njëherë zhgënjimin nga AASHM-ja dhe IHKM-ja dhe kritikon trekëndëshin Qeveri - Akademi e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë - Instituti i Historisë Kombëtare të Maqedonisë, të cilët i akuzon me akuza tipike të kohës së komunizmit, “përmbytje të vlerave të popullit të lashtë maqedonas” duke shtuar se ky trekëndësh ka elemente anitmaqedonase. I njejti publicist, vitin e kaluar ishte ftuar në simpoziumin me rastin e 600 vjetorit të lindjes së Skënderbeut, të organizuar nga ana e Institutit të Historisë Kombëtare të Maqedonisë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Por ditën e fundit i ishte anuluar pjesëmarrja sepse “historianët shqiptarë dhe maqedonas ishin marrë vesh që Skënderbeu të jetë shqiptar”. I demoralizuar nga këto fakte, Popovski disa herë pyet kryeministrin dhe institucionet përkatëse se pse maqedonasit heqin dorë nga Skënderbeu?! Por asnjëherë nuk e merr përgjigjen të cilën akoma e pret. Historiani kontravers tani i ka gjet edhe emrin, që sipas tij Skënderbeu e meriton: Aleksandri i Dytë i Maqedonisë. Kjo e bën njeriun të thotë “O sa kum qesh”.
Botuar ne Gazeten Start www.gazetastart.com
Shtuar më 27/04/2006, ora 09:35
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori