"Dy shqiptarë me tri parti"
Albeu.com
nga Idaver Sherifi, Gazeta StartNë çerekun e parë të viteve 90-ta, atëherë kur mbaroi “monopolizmi politik” i partisë së parë shqiptare në Maqedoni, Partisë për Prosperitet Demokratik dhe kur në skenën politike të Maqedonisë partitë shqiptare filluan të dalin si “kërpudhat pas shiut”,...Në çerekun e parë tw ëviteve 90 atëherë kur mbaroi “monopolizmi politik” i partisë së parë shqiptare në Maqedoni, Partisë për Prosperitet Demokratik dhe kur në skenën politike të Maqedonisë partitë shqiptare filluan të dalin si “kërpudhat pas shiut”, maqedonasit për të ironizuar shqiptarët filluan ta përdornin me të madhe shprehjen “dy shqiptarë, tri parti”. S’na pëlqente kjo shprehje, nevrikoseshim, shaheshim, e ç’nuk bënim tjetër. Ndoshta fajin që se kuptonim këtë shprehje e kishte koha. Sapo kishim kaluar nga monizmi në një sistem të ri, dhe si duket kjo na bënte t’i kuptonim gjërat ndryshe nga ç’duhej kuptuar. Sikur malli për pluralizëm i kishte kapur aq shumë njerëzit sa që kush mërzitej dhe s’kishte ç’të bënte hapte një parti dhe në këtë mënyrë “kontribonte” në zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni.

Maratoni që filloi me Partinë për Prosperitet Demokratik, do të vazhdojë me shkëputjen e një krahu të kësaj partie që do të njihet me emrin Partia për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve dhe e cila më vonë do të ndryshojë emrin në Partia Demokratike Shqiptare, pastaj Partia Republikane e Unitetit Kombëtar, Partia Nacional Demokrate Shqiptare, Partia e Aksionit Demokratik – Rruga Islame, Partia Demokratike Kombëtare, Bashkimi Demokratik për Integrim, Forcat e Reja Demokratike, Partia Alternativa Demokratike dhe disa parti tjera sezonale që hapen e mbyllen m’varësisht nga “moti”.

Një pjesë e këtyre partive akoma janë aktive dhe luajnë rol të rëndësishëm në skenën politike në Maqedoni, disa të tjera për të mbijetuar çdo sezon ndryshojnë nga një kryetar, e të tjerat tanimë janë bërë pjesë e historisë së afërt. Ka edhe parti të tilla ku kryetari bashkë me disa bashkëpunëtorë të afërt të Kryesisë Qendrore vendos të lejë partinë që e ka themeluar vet dhe të kaloj në një parti tjetër. Se ç’do ju vlejë një karrierë e tillë politike është për t’u habitur!

Edhe pse kanë kalur plot 15 vjet që nga hapja e partisë së parë shqiptare në Maqedoni, partitë shqiptare akoma gjenden në një situatë parapolitike. Asnjëra nga këto parti nuk është profilizuar dhe nuk mund të thuhet se kjo parti i takon këtij spektri politik apo ka këto qëllime.

Karakteristika të pandryshuara me vite dhe që egzistojnë te të gjitha partitë pa përjashtim janë ndryshimi i tonit të slloganeve kur janë në pozitë apo opozitë si dhe transferi i figurave politike nga njëra në partinë tjetër.

Deri sot, asnjë parti s’ka vazhduar me kursin politik parazgjedhor në momentin kur është bërë pozitë. Se ç’kanë karriget e qeverisë “nuk e di”, por atë që e di unë dhe i gjithë elektorati është se gjithçka ndryshon ditën kur një parti bëhet pjesë e qeverisë. Dhe e çuditshmja tjetër, partia e mëparshme në qeveri, tani pjesë e opozitës, fillon të kritikojë partinë në pushtet se bëhet “qingj” para partnerëve maqedonas të koalicionit, duke harruar se procesin e njëjtë e kishin përjetuar edhe vet. Dhe këtë, deri sot e kanë bërë të gjitha partitë që nga pozita kanë kaluar në opozitë.

Askush nuk pret e as që kërkon që një parti që merr pjesë në qeveri të tregohet arrogante dhe e pamatur, por ajo që kërkojnë njerëzit është pak sinqeritet dhe objektivitet.

Të gjitha partitë shqiptare në Maqedoni e kanë këtë ves të keq; në vend që të anëtarësojnë anëtarë të ri dhe t’i inkuadrojnë në organet e tyre partiake, ata zgjedhin rrugën e transferimit të personave tanimë të njohur për publikun e në të shumtën e rasteve edhe të konsumuar politikisht.

Ja një shembull i asaj që u mundova ta shpreh më lartë: Si shumë herë partitë politike për çështje të ndryshme akuzojnë njëra tjetrën. Dhe, vetëm pak kohë pas akuzave të ndërsjellta, njëri ndër funkcionarët më të “përlyer” në këtë lojë mund të kalojë në partinë që deri dje e kishte sharë dhe ofenduar, e edhe partia akuzuese shprehet e gatshme ta pranojë dhe pas një koktejli të mirë organizuar t’i dëshirojë mirëseardhje dhe t’i japë funkcion të lartë në parti. Ndërsa etika, parimet morale, vlerat,... vendoset që herë tjetër të merren parasysh.

Dhe tani, në kohën kur po afrohen zgjedhjet parlamentare në Maqedoni, partitë shqiptare kanë filluar me transferet e anëtarëve të partive tjera dhe me paraqitjen e platformave të reja (të vjetrat e zbukuruara me ndonjë element të ri) politike.

Të vjetrat si të vjetrat por thënë të drejtën jam kurreshtar se çka do promovojnë partitë e reja! Sepse gjatë kësaj periudhe 15 vjeçare, aq shumë janë konsumuar idetë dhe fjalët saqë çka do që të thuash nuk është e re, patjetër ta ketë thënë ndonjë paraardhës. Në fakt, politikanët nuk kanë edhe pse të lodhen që të gjejnë diçka të re për të thënë a premtuar sepse populli s’është se pret ndonjë gjë të re. Pse, mos ndryshoi gjë gjatë kohës që dëgjonte çdo ditë nga një risi?!

Ajo që mbetet për t’u kuptuar është se prap votat do t’i marrin ata që kanë më shumë farefis dhe miq, që shpërndajnë më shumë miell, vaj dhe sheqer e kohëve të fundit na ka dalë edhe një fenomen i ri, i përkrahjes nga jashtë (Shqipëri dhe Kosovë). E hidhur por ç’të bësh, ky është realiteti i politikës shqiptare në Maqedoni.

Por unë përkundër të gjitha gjërave që thash më lartë, prap jam i mendimit që partitë shqiptare në vend që të premtojnë gjëra të mëdha, ti shpërndajnë popullit miell, sheqer dhe vaj. Në këtë mënyrë ata mund të llogariten se me të vërtetë kanë ndikuar në zbutjen e problemeve të popullit, së paku në aspektin ekonomik. Se për fjalë e premtime, njerëzit tanimë janë ngopur së tepërmi...
Botuar ne Gazeten Start
Shtuar më 10/04/2006, ora 18:38
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori