Vota e shpërbërë
Albeu.com
Situata e ngjeshur politike në Republikën e Maqedonisë, po paralajmëron rrjedhjen e ujërave të mëdha. Qeveria dhe opozita në asnjë pikë nuk arritën që të kuptohen. Ata në vend se të përafrojnë qëndrimet e tyre për zgjidhjen e problemeve politike, veçse po shtojnë hendeqet e keqkuptimit. Mirëkuptimi më nuk po ka peshë. Është kaluar edhe vija e kuqe e ndërhyrjes së pozitës në ingerencat e përgjithshme. Pozita nga qëndrimet e këtilla politike po do të luaj rrolin e Faraonit ku nga arroganca e tij, arriti që ta nënshtroj popullin e tij deri në masën e shndërrimit të vetvetes në ‘zot’. Gruevski duhet ta ketë parasysh se Maqedonia nuk është Egjipt.

Qëndrimi i Nikolla Gruevskit dhe partisë së tij është se deri me 31 mars parlamenti të shpërbëhet dhe të shpallen zgjedhje të parakohshme në Republikën e Maqedonisë.

Me një fjalë goje Nikolla Gruevski po do ta zhvlerësoj votën e të gjitha partive politike përfaqësuese të popullatës në Parlamentin e Maqedonisë. Ende pa u mbajtur zgjedhje të parakohshme, me këtë gjë, Gruevski, do t`i thotë Branko Cërvenkovskit dhe partisë së tij se unë jam ai që vendosi dhe që do të mundi në këto zgjedhje parlamentare. Do t`i thotë votuesit shqiptar e maqedonas se unë kam në dorë fatin e votës suaj. Kjo mënyrë e veprimit politik të pozitës, është një gjë e hidhur dhe e dëmshme për Republikën e Maqedonisë në të ardhmen e saj. Është e hidhur ngaqë rrjedh prej një partie politike që synon futjen e Maqedonisë në NATO dhe BE, ndërsa e dëmshme ngaqë cenohen principet e demokracisë parlamentare në vend.

Duke lexuar opinionet e disa opinionistëve shqiptarë për kodin e ri zgjedhor, e kam parë se përsëri shqiptarët ranë në kurthin e VMRO-DPMNE-së. Maqedonasit janë në gjendje që të shtojnë edhe numrin e deputetëve shqiptarë deri në pesë, të kënaqin orekset e shqiptarëve, dhe njësitë zgjedhore të ngelin në formulën e njëjtë diskriminuese. Sikur formula e njësive zgjedhore në Maqedoni, të ishte e formuluar ndryshe, shqiptarët do të kishin edhe juridikisht rrol vendimtar në Republikën e Maqedonisë.
Në këtë periudhë të nxehtë politike BDI po bojkoton Parlamentin e Maqedonisë për shkak të keqkuptimeve me koalicionin e saj qeveritar rreth emërtimit të ri të Guvernatorit të Bankës Popullore të Maqedonisë.
E gjithë kjo zhurmë që po bëhet nga ana e kryeministrit aktual Nikolla Gruevski, tregon për paaftësinë e tij për të drejtuar më vendin. Ai përveç që ka frikë ta udhëheq vendin me metoda demokratike, përdor të gjitha kurthet e demokracisë për të futur në to, të gjitha subjektet politike, por edhe institucionet e shtetit, me të vetmin qëllim që jeta e tij politike në krye të vendit, të jetë sa më e gjatë.

Benjamin Franklin ka thënë:” Kush heq dorë nga liria për të pasur siguri, nuk meriton më, as lirinë dhe as sigurinë”. Thënia e këtij kolosi përshtatet shumë me aktualitetin politikë në Republikën e Maqedonisë.

Nikolla Gruevski po do ta detyrojë popullatën e këtij vendi që të heq dorë nga liria për të pasur siguri. Liria për të pasur siguri në demokraci, është liria e shprehjes përmes kutive të votimit. Kjo liri duhet të jetë e shenjtë për një vend, dhe e sigurt për ardhmërinë e një populli. Po qe se njeriu ose populli nuk e ka lirinë e shprehjes përmes kutive të votimit si do ai, pa imponim dhe pa dhunim, atëherë gjendja e atij populli dhe vendi është kaotike. Edhe pse atletët e demokracisë do të thuanin se ne këtë gjë e bëjmë në emër të lirisë dhe demokracisë, prapë se prapë, ato individ dhe subjekte politike nuk e meritojnë më as lirinë e as demokracinë.

Në shumë veprime, Nikolla Gruevskin mund ta krahasojmë me Gadafin e Libisë. Thirrjet e Gadafit janë dëshpëruese për qëndrimin e tij në pushtet. Ai me mijëra herë thotë se vdes për Libinë dhe se e do popullin e saj. Por dashuria e tij po kap koston e mijërave të vrarëve nga tanket e helikopterët ushtarak. Edhe pse populli është mërzitur më nga diktatura e tij e gjatë, ai përsëri i kthehet thirrjeve të tij dëshpëruese për dashuri ndaj popullit libian dhe Libisë.

Veprimet e Nikolla Gruevskit e meritojnë mos përgjigjen e popullatës në kutitë e votimit, dhe mos përgjigjen e asnjë partie politike në lojën e tij të fëlliqur. Edhe kjo gjë nuk është zgjidhje për problemet dhe hallet e qytetarëve të këtij vendi. Në këtë mënyrë veçse i jepet hapësirë Nikolla Gruevskit për të manipuluar me institucionet e shtetit dhe për të thelluar sundimin e tij në kundërshtim me dëshirat dhe vullnetin e popullit.
Shtuar më 16/03/2011, ora 10:05
Tage:

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori