"One minute" vs. Kosova
Pëlqej
Albeu.com
Kosova gjendet në periudha të rëndësishme politike të saj. Me 12 dhjetor janë zgjedhjet parlamentare. Është votuar kundër qeverisë së kryeministrit Hashim Thaçi. Kryetari i shtetit nga gjykata kushtetuese e Kosovës u cilësua si thyes i kushtetutës së Kosovës dhe si rezultat i kësaj ai duhej të jepte patjetër dorëheqje.

Beteja e tij për kryetarin e LDK humbi, pasi që atë betejë e fitoi Isa Mustafa, kryetari aktual i metropol së vetme kosovare Prishtinës. Si dhe së fundi vizita e kryeministrit turk Rexhep Taip Erdoan në Kosovë dhe mesazhi i tij i dhënë autoriteteve të Kosovës në lidhje me problemet midis Serbisë dhe Kosovës.
Kosova momentalisht është në një pozitë jo stabile nga aspekti politik. Institucionet e saj të gjitha gati kanë humbur validitetin e përfaqësuesve të saj. Forcat e EULEX-it shpesh herë bien ndesh me interesat e policisë së Kosovës. Nuk ekziston harmoni dhe marrëveshje e dyfishtë midis pushtetit dhe EULEX-it. Në anën tjetër retorika serbe në veri të Mitrovicës dhe aktivitetet e politikës serbe atje vetëm se po shtojnë tensionet ndër etnike në vend.

Kosova mund të duket si një përrallë me 40 hajdutët e krimit dhe politikës. Korrupsioni tek politikanët kosovar është në rritje e sipër dhe në dalje në shesh.

Politikanët kosovarë në vend që të kujdesen më shumë për vendin e tyre në këto vite të konstituimit të shtetit të tyre, ëndërr që e kemi ëndërruar të gjithë si shqiptarët e Kosovës, po ato edhe jashtë Kosovës, ato në këtë mënyrë po e vjedhin popullin e Kosovës duke keqpërdorur pozitat e tyre.

Gjëja më interesante në këto periudha para zgjedhjeve parlamentare është futja në koalicion midis AKR me PD. Partia e Pacollit edhe pse nuk është e fuqishme në skenën politike, ajo ka bërë mjaftë për njohjet e ndryshme për shtetin e ri të Kosovës. Lobimi i Behgjet Pacollit është një lobi i një forme që do të sjellke shumë frute ekonomike në vend, po qe se politika kosovare do të dinte të shfrytëzoj pozitën e kryetarit të AKR karshi investitorëve të jashtëm. Ndërkaq pozita e partisë së Ferid Aganit është e rëndësishme për nga aspekti i strategjisë së jashtme të shtetit të Kosovës me shtetet e lindjes. Forca e PD është e lidhur ngushtë me politikanët e rinj në Kosovë. Është ndoshta e vetmja forcë në Kosovë që sjell aq shumë politikanë të rinj në skenë. Dhe rrjedhat politike kosovare kanë nevojë për forcën e të rinjve dhe përvojën e më të vjetërve. Ndërsa këtë gjë, Partia e Drejtësisë e ka. Mendoj se ky koalicion është ideal për të fituar ndonjë pozitë të favorshme në këto zgjedhje të ardhshme parlamentare.

AKR e Pacollit dhe PD e Aganit nuk kanë nevojë të korruptohen. Njëra është mjaftë e pasur sa t`i blejë të tëra partitë bashkë, ndërsa tjetra duke u bazuar në principe universale të drejtësisë shoqërore, skenën politike kosovare mund ta nxjerrin prej krize.

Vizita e kryeministrit turk në Kosovë ishte e një rëndësie të veçantë. Ajo u përcjell me shumë vëmendje nga miqtë e këtij raporti dhe armiqtë e tij. Kryeministri turk i cili para gjithë botës në Davos të Zvicrës e sulmoi padrejtësinë e shtetit izraelit ndaj fëmijëve palestinezë, shqiptarëve të Kosovës i dha një mesazh të qartë dhe një mbështetje të thellë. Në bisedimet e ardhshme midis Kosovës dhe Serbisë, Turqia u ofrua si një opsion mjaftë i përshtatshëm për zgjidhjen e këtij problemi midis këtyre dy shteteve.
Mendoj se as politikanët e Kosovës nuk kanë pasur ndonjë plan se si të dalin prej kësaj krize. Rusia bëri çmos që të zhegohet procesi dhe të mos gjendet zgjedhje. SHBA është e interesuar që maksimalisht të përfitoj prej secilës marrëveshje që do të ekzistoj në botë, prandaj edhe është e interesuar që dy anët ti shoh njëherë duke u zvarritur dhe duke e lutur atë për ndihmë.

Në një pozitë të këtillë politike, oferta e kryeministrit turk Rexhep Taip Erdoan për kyçjen e Turqisë në proceset negociuese midis Kosovës dhe Serbisë është mese e nevojshme. Është e qartë se Turqia e ka dëshmuar historikisht veten si mik të popullit shqiptarë në të gjitha periudhat historike të saj.

Po qe se refuzohet kjo ofertë e Turqisë, zgjidhje për Kosovën do të ketë, por jo aq të favorshme sa më rastin e futjes së diplomacisë turke në lojë.

Prandaj i sugjeroj politikanët kosovarë që të përfitojnë prej rastit dhe të mos e lëshojnë shansin për zgjidhjen e këtij problemi të koklavitur midis Kosovës dhe Serbisë.
Shtuar më 08/11/2010, ora 10:45
Tage: Hamdi Nuhiju
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori