A mund ta ketë LDK-ja fatin e Ballit Kombëtar?
Albeu.com
Zgjedhjet në LDK gjithqysh janë në interesin e Kosovës, sepse një ridefinim i hartës së pushtetit, i cili gjithnjë e më tepër po tregohet i paaftë për qeverisje të mirë dhe kohezion qytetar, do ta thyente sindromën e mbifuqisë provinciale/krahinore dhe do ta ndalonte trendin e degradimit të theksuar të këtij pushteti, i cili e ka shtrirë kontrollin mbi tërë jetën publike në vend. Një rimendim i modelit të qeverisjes në Kosovë është interes vital i partive kryesore kosovare dhe sidomos i partnerëve aktualë në qeverisje, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për hir të afirmimit të pavarësisë dhe hapjes së shtigjeve drejt liberalizimit të vizave dhe drejt dialogut me BE-në për të gjetur moduse për “Schengen të bardhë” dhe Stabilizim-Asociim. Kosovës përfundimisht i duhet një agjendë evropiane, sidomos tashti, kur Brukseli do të kërkojë rezultate në bisedimet dypalëshe, mes Kosovës dhe Serbisë. Pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2007, LDK-ja ra në letargji totale, duke qenë se një grusht njerëzish u kënaqën me pak pushtet, kurse në anën tjetër, në mungesë të demokracisë së brendshme heshti edhe anëtarësia e kësaj partie. Por LDK-ja u bë sërish lajm atraktiv medial, falë tri figurave të forta brenda saj: Bujar Bukoshi, Isa Mustafa dhe Ukë Rugova. Paralajmërimi i reformave nga kjo treshe në LDK, posaçërisht njeriut më të fuqishëm politikisht në Prishtinë, Isa Mustafa. Ky “bllok” reformatorësh e kanë zgjuar edhe “bllokun” e presidentit Sejdiu, por jo për ta ringjallur partinë, por për ta mbajtur nën kontroll çdo proces, për konservimin e pushtetit personal. Sado që deklarimet e zyrtarëve të saj duken cinike, madje tallëse dhe përbuzëse, “bllokmenët” e Kryesisë janë mobilizuar për t’u barrikaduar kundër një fryme të re, nga frika se demokratizimi i partisë do t’i qesë ata nga loja. Por në ethe të ftohta të zhvillimeve në LDK është posaçërisht lideri i ngrirë i saj dhe presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, i cili, në rast se Gjykata Kushtetuese shpall se e ka shkelur Kushtetutën, duke mbajtur dy poste publike, vërtet mund të mbetet pa asnjërin. Sejdiu besohet se do ta lërë partinë ngjashëm me paraardhësin e tij Rugova dhe kjo u hap udhë reformave. Dorëheqja e Sejdiut nga posti partiak do ta inkurajonte Mustafën për t’i hyrë garës për timonin e LDK-së (ku do të kishte mbështetje të gjerë), kurse mbetja e Sejdiut në konkurrencë do të krijonte konfuzion dhe paqartësi në këtë parti, e ndoshta edhe çarje të reja, sepse loja luhet në Kryesi, kurse Bukoshi dhe njerëzit rreth tij nuk kanë shumë ithtarë aty. E gjasat që Sejdiu të penalizohet nga Kushtetuesja janë të mëdha. Partia e Ibrahim Rugovës, duke qenë peng në duart e pak figurave politike që nuk kanë evoluuar politikisht tash e tridhjetë vjet, rrezikon që, nëse nuk e shfrytëzon rastin e saj të fundit, këtë vjeshtë, për t’u reformuar në parti qytetare dhe për t’u hapur ndaj të gjithë atyre që duan ta lidhin fatin me këtë parti, ajo mund të përjetojë fatin e Ballit Kombëtar, që të shkojë në histori. LDK-ja ka mbetur pa lidership koheziv dhe pa vizion të qartë politik, prapa dyerve të mbyllura dhe e stërkequr gjatë proceseve shtetndërtuese, duke e reduktuar agjendën e saj në luftë për pushtet personal dhe në servilizëm ndaj PDK-së mirë të organizuar dhe me elektorat të disiplinuar, si edhe në konformizëm ndaj modelit kleptokratik qeverisës. Në aspektin formal esenca e ekzistencës së çdo partie politike është marrja ose mbetja në pushtet dhe në këtë aspekt, Sejdiu mund të lavdërohet se e ka mbajtur LDK-në në pushtet, por në anën tjetër ai e ka dëmtuar rëndë imazhin dhe masivitetin e partisë, madje duke e bllokuar një nismë reformatore që i qe besuar Blerim Kuçit. LDK-ja është para sfidës: të pretendojë t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme kombëtare ose së paku të jetë partnere serioze e një koalicioni qeverisës, që siç po shkojnë gjërat do të jetë sërish PDK-ja e Hashim Thaçit, ose të barrikaduarit në LDK do t’i mbledhin monedhat e fundit dhe t’ia japin drynin partisë më të madhe kosovare. Pas rikthimit në LDK të të çregjistruarve, si Bujar Bukoshi dhe posaçërisht pasi që Isa Mustafa ia ruajti fytyrën kësaj partie në Prishtinë në dy palë zgjedhje vendëse, dhe posaçërisht hyrja e Rugovës së Dytë në politikë, kësaj partie i bie hise që të jetë model i demokratizimit dhe properëndimorizimit e modernizimit të shoqërisë kosovare, pra kosovarizimit të politikës dhe nëse kjo parti nuk lëviz në këtë drejtim, atëherë timonin e drejtimit të vendit do ta merrte përfundimisht PDK-ja, e cila, po ashtu ka frikë nga demokratizimi, por jo nga hapja, ngase lideri i saj Thaçi pati sjellë në orbitën e tij shumë figura nga bota akademike, nga shoqëria civile dhe nga media. Bunkerizimi i Sejdiut bashkë me Kryesinë aktuale të LDK-së e ka shndërruar atë në lider jo fort popullor, i cili rri larg nga qytetari, duke mos e inkurajuar asnjëherë shoqërinë civile dhe median e lirë kur këto përballeshin me presionet e Qeverisë. A mund ta rikthejnë besimin e luhatur të elektoratit të LDK-së Bukoshi, Mustafa, Rugova Junior dhe ata që do të rreshtohen pas tyre? Nëse kjo treshe nuk ndalet përballë presioneve politike nga jashtë partisë, por që mund të vijnë edhe nga mendësitë e vjetruara politike të kastës që është dëshmuar për nga shterpësia në prodhimtarinë politike brenda vetë LDK-së, që tani mund të konkludohet se LDK-ja do ta rikthejë prestigjin e dikurshëm, por pse jo edhe pushtetin, duke u shfaqur si ofertë solide qytetare për një Kosovë evropiane. Nëse para do kohësh Sabri Hamiti deklaronte se LDK-ja, në njëfarë dore, jo vetëm që do të hapej, por edhe do ta hiqte fare derën, pse tashti sërish kolegët e tij po shfaqin sindromën e mbylljes së dyerve dhe mendjeve? Pas shkrirjes së ORA-s në gravitetin e saj dhe kthimit eventual në shtëpi të LDD-së, mund të ndodhë që edhe PSDK-ja e Agim Çekut dhe krahu politik i Edita Tahirit të afrohen me LDK-në, por kjo parti mund të llogarisë për qeverisje edhe në personalitete të fuqishme nga shoqëria civile e media, si Veton Surroi. Këto ishin edhe vizione të “reformatorit” të penguar Blerim Kuçi, i cili edhe mund të rikthehet në LDK, nëse opsioni i tij del fitues. Nëse lidershipin e kësaj partie e merr treshja dinamike, gjasat janë të mëdha që këtë parti ta bëjnë interesante edhe për gjysmën e elektoratit kosovar që nuk voton fare. Bukoshi e Mustafa njihen si liberalë prej kohësh, madje ata pos që kanë qenë kritikë ndaj qeverisjes korruptive, ata edhe kanë përkrahur fuqishëm lirinë e shtypit dhe të fjalës, madje Mustafa ka manifestuar publikisht kundër presioneve qeveritare ndaj medias së lirë së bashku me eksponentët e mbrojtjes së këtyre lirive themelore, prandaj mos u habitni pse këta e kanë median përkrah! Ndërkaq Rugova i Dytë është shumë atraktiv si një pinjoll e derës fisnike, ai mund të rrezatojë fuqi (psikologjike) tek adhuruesit e babës së tij. Kjo treshe, me mbështetësit e tyre që mund të jenë shumë figura publike, e përbën kursin liberal-demokrat brenda LDK-së, pra LDK-ja çfarë i duhet shtetit të ri. Duket megjithatë se këta e kanë seriozisht. Prandaj, delegatë të Kuvendit të LDK-së, anëtarë konstantë të saj dhe adhurues të Ibrahim Rugovës, qytetarë të painteresuar dhe ju që ende keni dilema: votoni për Liberalë-Demokratët e Kosovës (LDK) të reformuar, që mban kohezionin qytetar dhe që duket të jetë alternativë për t’ia ndërruar fytyrën Kosovës. (Koha Ditore)
Shtuar më 16/09/2010, ora 10:56
Tage: halil matoshi

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori