“Kushëriri investitor në Butrint”, Gjiknuri “kapet” me Shehajn dhe i kujton “baxhanakun”

Teksa deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, ka akuzuar Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, duke thënë se kushëriri i tij është shpallur investitor strategjik nga qeveria dhe do të ndërtojë një resort në parkun e Butrintit, ka ardhur edhe reagimi i Gjiknurit.

Sakaq, numri dy i socialistëve ka mohuar që është djali i xhaxhait të tij biznesmeni që do të ndërtojë në Butrint. Gjithashtu Gjiknuri thotë se do ta ndjekë në rrugë gjyqësore, ndërsa shton se nuk është si ata të partisë së Shehajt që mohojnë baxhanakun.

“E siguroj deputetin Agron Shehaj se unë nuk jam si ata të partisë së tij që mohuan baxhanakun e ndjerë në Gërdec. Nuk kam ama se si të pranoj që çdokush që mban mbiemrin Gjiknuri dhe që merret me biznes duhet të jetë automatikisht djali i xhaxhait tim. Çdokush mban përgjegjësi e përgjigjet për ato që bën. Le ta provojë gjykata e do ta mbaj unë përgjegjësinë, por nëse unë nuk e kam djalë xhaxhai personin e përgojuar nga Agron Shehaj, atëhere Agroni duhet të më dëmshpërblejë për cënim të qëllimshëm të imazhit!” shkruan ai./albeu.com/