Deputeti i Lëvizjes BESA: Nuk votoj për rrëzimin e qeverisë së Zaevit

Deputeti i Lëvizjes BESA, Kastriot Rexhepi, nuk u paraqit sot në senacën e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ku do të votohej mocioni i mosbesimit për qeverinë “Zaev 2”.

Ai u “zhduk” duke mos hapur as telefonin dhe nuk ishte as në shtëpi.

Por pak më vonë, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku shkruan se nuk do të marrë pjesë në seancën për rrëzimin e qeverisë.

Më tej në postim thotë se mori këtë vendim për të mirën e shtetit dhe popullit.

“Një nga kauzat kryesore të mija dhe subjektit politik Lëvizja Besa që i përkas, ka qënë integrimi euro atlantik i RMV. Duke patur parasysh momentumin politik, pas shtyrjes të dorëheqjes nga kryeministri Zaev, për hir të procesit dhe sinjalet e forta nga partnerët strategjik SHBA dhe shtetet e BE-së që më janë komunikuar nga përfaqësues të lartë diplomatik, se në muajin dhjetor vëndi ka gjasa të mëdha të marë datë për fillim e bisedimeve për anëtarësim në BE, vendosa që mos të mar pjesë në seancën parlamentare ku duhej të meret vendim me të cilin do vihet në pikëpyetje ky pikësynim jetik kombëtar dhe shtetëror. Si politikan dhe deputet i përgjegjshëm, mora këtë vendim jo të lehtë duke i vënë interesin e popullit dhe shtetit në radhë të parë.  Shteti në këtë periudhë të rëndësishme nuk ka nevojë për krizë politike dhe zhytje në ujëra të turbullta me plot të panjohura”, ka shkruar ai./albeu.com