Zbulohet metoda e tmerrshme, si të burgosurit fusin drogë në burgje (FOTO LAJM)

Autoritetet e burgjeve në Britani të Madhe kanë njoftuar se banda të ndryshme kriminale po i përdorin minjtë e ngordhur për të kontrabanduar drogë dhe telefona celularë nëpër burgje.

Punëtorët e burgut në Dorset i kanë gjetur tre minj, të cilët kanë qenë të qepur në bark. Nga hetimet e mëvonshme u zbulua se në barkun e këtyre kafshëve janë vendosur telefona celularë, mbushës të telefonave, kartela “SIM” dhe drogë.

Këto kafshë u gjetën brenda perimetrit të rrethojës së burgut. Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se kafshët e ngordhura, të mbushura me gjëra të ndaluara në burg, janë hedhur matanë rrethojës nga kriminelët, të cilët i kanë thirrur të burgosurit për t’i marrë ato.

Në të kaluarën, në burgjet britanike janë shënuar raste kur kriminelët janë munduar të fusin gjëra të ndaluara përmes pëllumbave dhe topave të tenisit.

Ministri i burgjeve, Rory Stewart, tha: “Ky zbulim tregon se sa larg mund të shkojnë kriminelët për të futur drogë në burgje dhe dëshmon rëndësinë e nevojës për forcim të sigurisë. Droga dhe telefonat celularë në burgje i vënë në rrezik të burgosurit, punëtorët e burgjeve dhe tërë popullin”.
Shtuar më 25/03/2019, ora 11:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori