Si mund ta detyrojë Perëndimi Rusinë të ulet në tryezën e negociatave

Nga Holman W.Jenkins, Jr. “Wall Street Journal

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Pushtimi i Ukrainës ishte i destinuar të rezultonte një katastrofë gjeopolitike për interesat e Rusisë. Por Vladimir Putin dhe rrethi i tij i afërt kishin ndoshta të drejtë kur e panë si një kërcënim për mbijetesën e tyre afrimin në rritje të Ukrainës me Perëndimin, zhvillimin e saj si një ekonomi demokratike, e bazuar tek tregu i lirë dhe sundimi i ligjit.

Regjimi i Putinit ka qenë aq miqësor me popullin rus dhe interesat e tij sa edhe regjimi i Adolf Hitlerit me interesat e gjermanëve. Dëmi i shkaktuar ka qenë befasues. Në fakt, lufta aktuale ka kuptim vetëm si një lojë për të mbajtur në pushtet Putinin. Së pari duke i dhënë një fitore të lehtë dhe popullore.

Dhe kur ky skenar nuk funksionoi, atëherë u kalua tek përdorimi i luftës së dështuar për ta militarizuar shoqërinë dhe për të burgosur kundërshtarët. Ironitë janë shumë therëse për realistët e vetëshpallur, të cilët vazhdojnë të këmbëngulin se ishin gabimet e Perëndimit, ato që e detyruan Rusinë të nisë një luftë për të mbrojtur interesat e saj objektive.

Këto interesa objektive qëndronin derisa Putin nisi pushtimin e Ukrainës, 60.000 ushtarë rusë ishin ende gjallë. Ato interesa bazoheshin në premisën se NATO do të ishte një aleancë e përgjumur dhe jo-agresive, pa Suedinë dhe Finlandën. Por edhe se vetë Ukraina ishte më e njohur për korrupsion sesa për një shpirt të egër luftarak, si dhe për pasjen e një ushtrie të vjetër sovjetike dhe jo të një ushtrie moderne perëndimore.

Pas një viti luftimesh, asnjë “Hitler” dhe “Napoleon” nuk është shfaqur për ta pushtuar Rusinë. Përkundrazi po shihet se kërcënimi i madh për mbijetesën gjeografike dhe shtetërore të Rusisë rezulton se vjen nga vetë Putin. Igor Girkin, provokatori nacionalist rus që ndihmoi në fillimin e luftës në vitin 2014, ka nisur tani të tallet duke i dhënë Putinit titullin sarkastik të “përparësisë unike strategjike” të Rusisë.

Pas një viti lufte, pavarësisht akuzave për të kundërtën, Perëndimi e ka në fakt një strategji. Ai është fokusuar që ta çojë Putinin drejt dështimit të plotë në këtë luftë, derisa “temperatura politike ” në Moskë të ngrihet aq shumë për të dhe aleatët e tij, saqë të detyrohen të ndryshojnë kurs.

Jo pa argumente dhe shpeshherë në mënyrë jo shumë optimale, NATO e ka shmangur luftën direkte me Rusinë, si dhe e ka kufizuar gamën e armëve që i ka dërguar Ukrainës. Kjo për të mos e justifikuar pretendimin e vazhdueshëm të Putinit se lufta iu imponua nga Perëndimi, apo se nën kërcënim është vetë fati i Rusisë.

Fundi i lojës i Perëndimit synon në mënyrë të nënkuptuar rrëzimin e Putinit. Ai ka hequr dorë nga koncepti i dyshimtë i shekullit të kaluar për luftën totale, në të cilën objektiv ishte edhe popullsia civile. Nuk është shpallur asnjë synim që mund të cënojë qytetarët e Rusisë. Sepse është Vladimir Putin, ai që po i rrëmben djemtë e tyre, duke i kthyer në shtëpi 3 javë më vonë nëpër arkivole. Standardet e jetesës së tyre po bien vazhdimisht për shkak të zgjedhjeve që filluan në Moskë dhe askund tjetër.

Edhe pse përmes luftës, Putin do të donte të rikrijonte regjimin e tij sipas modelit të Koresë së Veriut, ai nuk mundet ta bëjë këtë. Sepse druhet deri edhe t’i pengojë qytetarët nga përdorimi i YouTube, pavarësisht presionit të vartësve të tij për ta bërë këtë. Dhe kjo është një pikët e dobët që ne në Perëndim mund ta shfrytëzojmë.

Në këtë moment mungon fushata propagandistike perëndimore që të ketë në fokus popullin rus, megjithëse mund të jetë e vështirë të ndryshojë atë që rusët mund ta shohin me sytë e tyre. Një mënyrë përmes së cilës mund të ndihmojë SHBA-ja: ajo heshti mbi bombat ruse të vitit 1999 që shpërthyen në disa blloqe apartamentesh dhe shkaktuan mbi 300 të vdekur, një skenar brutal, të cilin Putin i asaj kohe, pak i njohur në Rusi, e përdori për t’u katapultuar në presidencë.

Edhe pse në atë kohë u akuzuan “terroristët çeçenë”, ka shumë prova se u kryen nga vetë shërbimet e sigurisë të Putinit. SHBA nuk i ka publikuar asnjëherë gjetjet e shërbimeve të saj sekrete. Koha për këtë mund të jetë tani. Për t’i dhënë fund luftës me kushte të pranueshme për NATO-n, duhet të përçahet politika e brendshme e Rusisë, sikurse ndodhi gjatë Luftën e Ftohtë. Pikërisht në këtë mënyrë zhvillohen betejat e fuqive të mëdha në epokën e armëve bërthamore.

Vladimir Putin nuk do ta pranojë kurrë humbjen në Ukrainë. Por në një moment ai do të propozojë plot pompozitet një armëpushim, ndërsa trupat e tij do të jenë ende në territorin ukrainas. (Ideja më pak e besueshme është që lufta do të përfundojë kur trupat ukrainase të arrijnë kufijtë e Rusisë para vitit 2014).

Në një skenar të tillë SHBA dhe miqtë e saj në Kiev duhet të zhvillojnë një diskutim shumë të vështirë. Ajo që duhet t’i lehtësojë bisedimet, duhet të jetë pranimi i faktit se sa miqësore do të jetë një botë pas armiqësive aktuale ndaj rritjes së fuqisë ukrainase përkundrejt fuqisë ruse.

Aktualisht një linjë hekurudhore që niset nga porti i Konstancës në Rumaninë anëtare të NATO-s, është tashmë në funksionim të plotë për t`i izoluar eksportet ukrainase nga  kërcënimet ruse. Nga ana tjetër përshkrimi i luftës aktuale si një luftë e deleguar midis SHBA-së dhe Rusisë, siç bëjnë disa kritikë amerikanë, është i pasaktë.

Gjithsesi, do të kishte një luftë në Ukrainë, me fuqitë lokale dhe rajonale që të mbanin anë, edhe nëse SHBA do të kishte qëndruar tërësisht jashtë.

Në këtë rast, ndërhyrjet tona të pjesshme e kanë bërë SHBA-në aleate të Ukrainës dhe e kanë angazhuar Uashingtonin për ndjekjen e një strategji që do të synojë ta detyrojë Rusinë të ulet herët a vonë në tryezën e negociatave me çfarëdolloj kombinimi të përshkallëzimeve dhe parandalimit që kërkohet për të arritur këtë gjë. /albeu.com


Shtuar 2.03.2023 11:59