Zbërthehet banda e grabitësve: I duroj presionet, po më kapën nuk flas (FOTO LAJM)

Arrestimi i disa pjestarëve të grupit që ka kryer të paktën dy grabitje të makinave të transportit të parave në Qafën e Kasharit ka filuar të zbulojë edhe mënyrën se si ishte organizuar banda në fjalë.

Mësohet se ish-ushtari komando Neim Avdulaj, i cili tashmë ndodhet nën arrest me burg si i dyshuar për dy grabitjet e ndodhura më datë 3 dhjetor 2015 dhe 9 shkurt të këtij viti, kishte dalë garant tek Admir Murataj (në kërkim) se nëse do të kapej nga policia, ishte në gjendje të duronte presionin e shtetit.

Ky fakt u bë dje me dije nga burime të hetuesve të çështjes, shkruan Gazeta Shqiptare, të cilat shtuan më tej se Avdulaj i ka thënë Muratajt se, nëse do të ndodhte ndonjë gjë, do e kishte me të dhe jo me Fation Xhyliun dhe Ditjon Memlikën, të cilët e informonin atë për çdo lëvizje të mjeteve që do të transportonin paratë drejt Rinasit.

Këto fakte, ish-komando i ka pohuar gjatë dëshmisë që ka dhënë para hetuesve. Burimet e lartpërmendura thanë më tej se Avdulaj ka treguar edhe se “Adi” (i identifikuar si Admir Murataj), i ka dhënë atij katër celularë të thjeshtë, me gjithë kartat SIM. 28-vjeçari nga Vlora ka rrëfyer më tej se, pasi kanë studiuar lëvizjet e mjeteve që shoqëronin paratë, personi me emrin “Adi” ka rënë dakord me Avdulajn për të realizuar vjedhjen.

Gjatë gjithë kohës që ata kanë studiuar lëvizjen e mjeteve, kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me shtetasit Fation Xhyliu dhe Ditjon Memlika, të cilët i dërgonin mesazhe për lëvizjet e mjeteve me lekë.

Mesazhet vinin rreth orës 10-11 të paradites, dhe kjo ndjekje është bërë nga mesi i muajit shtator deri në muajin dhjetor, kur ka ndodhur ngjarja (dhjetor 2015).

Neim Avdulaj ka rrëfyer më tej, se gjatë kësaj periudhe është takuar me Fation Xhyliun dhe Ditjon Memlikën, duke biseduar për çfarë do të realizonin. Ndërkaq, edhe pse i arrestuari tjetër nga policia, Ernest Kupa nuk ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij, ku dyshohet të ketë qenë ekzekutor në të dyja grabitjet, në deklaratën e dhënë nga Neim Avdulaj, prokuroria ka akuza të forta që e fajësojnë atë në ngjarje. Sipas Avdulajt, Ernest Kupa është person që ka marrë pjesë në të dyja grabitjet dhe qëndronte shpeshherë me Admir Muratajn.

“Në të gjitha rastet që jam takuar me Ernest Kupën dhe ‘Adin’, janë diskutuar detajet e planit, duke përfshirë edhe diskutimet në lidhje me modifikimin e automjeteve që do të ndalnin mjetin e bankës. Takimet me të dy këta persona i kam pasur te Fusha e Aviacionit, në një lokal përballë helikopterëve, te lokal ‘M…’ dhe në një lokal në Unazë të Re”, – ka pohuar Avdulaj para hetuesve. /Albeu.com/
Shtuar më 21/02/2017, ora 12:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori