Rikujtojmë sot përvjetorin e saj të lindjes, e gjeni dot për kë ikonë të Teatrit shqiptar bëhet fjalë (FOTO LAJM)

Violeta Manushi lindi më 6 mars të vitit 1926, në Voskopojë të Korçës dhe ndërroi jetë më 26 korrik të vitit 2007, në Tiranë, pas një sëmundje të rëndë. Ajo është një nga ikonat e Teatrit Popullor, ndër të parat aktore, që ka shkëlqyer njësoj si në komedi, ashtu edhe në dramë, si në skenë, ashtu edhe në kinematografi.

Gjatë karrierës së saj realizoi 100 role në teatër dhe 16 role në kinematografi. Interpretimi i fundit i Aktores së madhe është tek tragjikomedia “Streha e të harruarve”, shkruar nga Ruzhdi Pulaha.

Ish-punëtorja e tipografisë, vetëm 20 vjeçe u regjistrua në shkollën e parë dramatike, të hapur pranë Teatrit të Shtetit, më vitin 1946, ku u shqua menjëherë për vërtetësi, spontanitet e natyrshmëri të rrallë, por edhe disiplinë e vullnet të hekurt.

Më pas shkëlqeu në rolet protagoniste në komeditë “Gratë gazmore të Uindsorit” (1959) dhe “Morali i zonjës Dulska” (1958). Nga dramaturgjia kombëtare interpretoi me shumë sukses Olimbinë te “Karnavalet e Korçës” (1964), Zyhranë te “Fytyra e dytë” (1968), Nicën te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1971), Ollgën te “Zonja nga qyteti” (1975) dhe teton te “Pallati 176” (1985), duke u transformuar tërësisht në secilin prej tyre.

Ka luajtur edhe në 16 filma, që nga “Tana” (1958) e deri tek “Rrethimi i vogël” (1989) dhe një teledramë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1976). Për rolin e teto Ollgës tek “Zonja nga qyteti” fitoi Medaljonin e Festivalit të Filmit më 1977.