Arrestohet një serb për krime lufte, dyshohet se kishte rrahur me shkop gome dhe shqelma një person

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka njoftuar se në bashkëpunim me Njësinë për Hetime të Krimeve të Luftës në kuadër të Policisë së Kosovës, sot ka arrestuar sot të pandehurin me inicialet Z.A. të nacionalitetit serb, nën dyshimin për kryerje të krimeve të luftës në Kosovë në vitin 1999.

Sipas njoftimit, i arrestuari dyshohet se në cilësinë e personit zyrtar, në stacionin policor të Kamenicës, kishte rrahur të dëmtuarin me inicialet B.M.

“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri Z.A., dyshohet se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në muajin mars 1999, në stacionin policor në Kamenicë në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, i uniformuar dhe armatosur, fillimisht kishte rrahur të dëmtuarin me inicialet B.M, me shufra gome dhe shqelma, duke e torturuar në mënyrë çnjerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda, trauma dhe pasoja në shëndet dhe duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysme, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare  të Gjenevës dhe protokolleve shtesë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri Z.A., gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në periudhën shkurt-mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë.

“Pastaj ka filluara të bëjë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të  pronës së shqiptarëve,  i’a ka vënë zjarrin, si dhe ka marr pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë. Me këto veprime i pandehuri Z.A., kishte për të kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës  civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së”, thuhet në fund. /GazetaExpress

 


Shtuar 7.03.2023 21:10