Zbardhet dëshmia e Krenar Çoçajt për sherrin me fansin e Luana Vjollcës
Krenar Çoçaj ishte personi që i ka dalë në mbrojtje Luana Vjollcës, ndërkohë që ajo përndiqej nga një fans i çmendur i saj. Në dëshminë e dhënë në polici, Çoçaj shpjegon se kishte shkuar në ndihmë të Luanës, pasi kjo e fundit kishte shqetësime nga Besmir Lila.

Sipas tij, ai ka ndërhyrë në një moment kur Lila i është afruar xhamit të makinës së Luana Vjollcës ndërkohë që ishte e bllokuar në trafik tek Unaza e Re, shkruan "Panorama".

Dëshmia e Çoçajt

Sipas materialit kallëzues, Oficeri i Policisë Gjyqësore, ka pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetasin Krenar Çoçaj, i cili ka shpjeguar se ishte i lidhur prej dy vjetësh me shtetasen Luana Vjollca, e cila punonte në TCH.

Kësaj shtetaseje, prej dhjetorit 2016, e përndiqte një person, i cili i shkruante vazhdimisht dhe e ndiqte atë nga pas ku ajo shkonte, shkak për të cilin ajo ka qenë e shqetësuar.

Për këtë arsye ai ka shkuar për ta shoqëruar atë ditë nga puna. Më tej, sipas deklaruesit, ndërsa po ktheheshin në Tiranë, secili në makinën e tij, tek Unaza e Re ka parë që Luanën e ndiqte një mjet, që tentonte t’i dilte para.

Në një moment Luana e ka telefonuar duke i thënë “ky psikopati më është ngjitur me makinë nga pas”. Më pas, sipas deklaruesit, ndërsa po afroheshin te mbikalimi, ku kishte trafik, ka parë këtë person, që ka zbritur nga makina e tij dhe është afruar te makina e Luanës.

Deklaruesi pohoi se ka shkuar aty duke i thënë “çfarë don ti me gruan time”, ndërkohë që ky person e ka kërcënuar se do ta vriste dhe tentonte ta fuste dorën në një çantë që kishte në krah. Pas kësaj, sipas deklaruesit, ky person e ka goditur me grusht, gjë të cilën e ka bërë dhe ai, pasi nuk mund ta linte të nxirrte ndonjë armë, ndërkohë që pas kësaj aty ka mbërritur Policia.
Shtuar më 19/07/2017, ora 14:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori