“Jam zoti Peskov, nuk shkoj në luftë”, telefonata kurth që nxjerr “zbuluar” Vladimir Putin dhe njerëzit e tij

Tirani i Kremlinit, Vladimir Putin bën thirrje për armë: 300 mijë rezervistë duhet të mobilizohen. Sidomos ata qytetarë që kanë shërbyer në ushtri.

Por a vlen kjo edhe për meshkujt nga rrethi i elitës së Kremlinit? Për ta zbuluar, i besuari i Navalny-t, Dmitry Nisovtsev, i telefonoi Nikolai Peskov, djalit të zëdhënësit të Putinit, Dmitry Peskov, gjatë një transmetimi live në kanalin Popular Politics në YouTube.

Nisovtsev hiqet sikur është një oficer rekrutimi rus- dhe Peskov e hëngri rrengun. Gjatë telefonatës, ai e bëri të qartë se do të lëvizte fijet në Kremlin në mënyrë që të mos i bindet urdhrit të mobilizimit.

Oficeri i rremë i thotë Peskovit në telefon: “Zoti Peskov, ju kemi dërguar në mënyrë elektronike thirrjen për mobilizim, por nuk jeni përgjigjur ende. Nesër ju pres për raportim në zyrën ushtarake në orën 10:00”.

Djali i zëdhënësit të Kremlinit përgjigjet troç: “Sigurisht që nuk do jem aty në orën 10:00. Ju duhet ta kuptoni se unë jam zoti Peskov. Nuk është aspak e drejtë që unë të vij aty fare”.

Ai i shpjegon oficerit se në draftin e mobilizimit ka nuanca politike, duke theksuar se babai i tij nuk është vetëm zëdhënës i Putinit, por edhe nënkryetar i administratës së Kremlinit.

Djali i Peskov thotë se duhet të informohet më shumë fillimisht. “Duhet të kuptoj në përgjithësi se çfarë po ndodh dhe cilat janë të drejtat e mia. Ata që më thërrasin nesër, më besoni, as ju dhe as unë nuk kemi nevojë për këtë gjë”.

Por më pas ai kërkon që të mos hiqet nga listat e rekrutimit. Duke iu referuar despotit të Kremlinit, Vladimir Vladimirovic Putin, ai thotë: “Unë do të bëj atë që më thonë. Nëse e thotë Vladimir Vladimiroviçi që të shkoj atje, unë do të shkoj”.

Kjo telefonatë tregon se djemtë e elitës së Kremlinit nuk presin të dërgohen në vijën e parë- ndryshe nga qindra e mijëra rusë të tjerë të përulur që nuk do kenë mundësinë e përjashtimit.

Në teori, Peskov, si një ish-rekrut në forcat raketore bërthamore ruse, do të ishte kandidat kryesor për mobilizim. Dhe ndërsa shumë rusë janë të dëshpëruar për të shmangur rekrutimin, kjo nuk duket të jetë problem për udhëheqësit rusë në vend./BILD/