Vrasje, gjoba dhe rrëmbime në Shkodër: Gjithçka nisi nga ky atentat (FOTO LAJM)

Pëlqej
Pas arrestimit të të fortëve të grupit Bajri, prokuroria ështe duke hetuar intensivisht për një konflikt mes tyre dhe fisit Lici në Shkodër, i cili ka sjellë deri më tani një atentat të dështuar dhe disa viktima.

Hetimet për këtë konflikt nisën që në janar të këtij viti ku u tentua të vritej përmes një bombe të telekomanduar, Lul Kulla, i njohur si person i afërt me fisin Lici në Shkodër sipas burimeve.

Sipas organeve përgjegjëse, dyshohet kjo është edhe zanafilla e disa vrasjeve të tjera në Shkodër, siç është ekzekutimi i Boran Bërçamës dhe bashkëjetueses së tij si edhe e Fatbardh Licit.

Policia ka arrestuar dy persona të rendësishëm të fisit Bajri, siç janë Behari dhe Safeti. I pari i kap në Holandë, ndërsa Safet Bajri u arrestua në Tiranë.

Operacioni i koduar “Oaz”, u finalizua të premten me 11 persona të arrestuar e dy të tjerë të shpallur në kërkim, pas një hetimi intensiv që zgjati rreth 6 muaj. Mes të arrestuarve ishte edhe Safet Bajri, i konsideruar mes njerëzve kryesorë të grupit dhe i vëllai Ilir Rustemi, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër, gjithashtu me të njëjtin rol. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, gjatë konferencës për shtyp tha se ishin shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë.

I pari Enver Bajri, drejtuesi kryesor grupit, ndërsa personi i dytë dyshohet si një nga personat që përdorej për të vënë gjoba. Burimet thanë se një tjetër personazh kyç në këtë grup është edhe Behar Bajri, i arrestuar në Roterdam, pasi ishte larguar prej më shumë se një jave më parë nga Shqipëria.

Informacioni për të u është përcjellë autoriteteve të huaja dhe në bashkëpunim me partnerët përfundoi në pranga. “Është provuar në javët e fundit se anëtarët e këtij grupi kriminal kanë kanosur dhe shtrënguar disa shtetas për dhënie shumash të konsiderueshme parash. Ky grup është i dyshuar dhe po hetohet intensivisht për disa nga ngjarjet e fundit të ndodhura në Shkodër”, theksoi Ardi Veliu gjatë konferencës për shtyp.

Sipas burimeve, gjobat e vendosura kohët e fundit, fillimisht u njoftoheshin të dëmtuarve nga Behar Bajri. “Behari jam”, u thoshte në telefon i dyshuari dhe më pas viheshin në lëvizje të tjerët, të cilët, siç rezulton nga përgjimet e shumta, i vendosnin afat të dëmtuarve në disa raste edhe me frazën: “…e mira është mos ta vonosh porosinë”.
Shtuar më 24/09/2018, ora 10:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori