Vrasja makabre në Bërzhitë, flet nipi i 74-vjeçares: Pse ma vranë tezen (FOTO LAJM)

Fatime Hida u gjet e mbytur dhe e lidhur këmbë e duar dy ditë më parë në Bërzhitë të Tiranë, vrasje për të cilën policia dyshon se ka ndodhur gjatë një grabitjeje në shtëpinë e saj nga persona të panjohur.

Në një prononcim për "Panorama", nipi i Fatimes, Fadil Hoxha tregon se si është lajmëruar dhe si e ka gjetur të vrarë tezen e moshuar në mes të shtëpisë.

"Më ka marrë në telefon kryeplaku i fshatit Mihajas këtu në Bërzhitë. Ka qenë ora 6 pa 10 e mbrëmjes. Më pyeti nëse e kisha parë tezen gjatë këtyre dy ditëve, pasi sipas tij kishte që të shtunën që askush në fshat nuk e kishte parë. Ajo dilte çdo ditë për të kullotur bagëtitë, kishte disa dele dhe qengja"., - tregon nipi i saj.

Më pas ai thotë se është nisur drejt shtëpisë së saj dhe është futur brenda bashkë me kryeplakun, Muharrem Hida.

"U afruam te dera dhe i thirrën disa herë. Kur nuk po përgjigjej njeri Muharremi u fut vetë i pari brenda dhe e dëgjova kur tha: ‘O bobo e paskan vrarë!’. U futa edhe unë menjëherë pas tij. Teza ishte e shtrirë përmbys në dysheme dhe i kishte duart e këmbë të lidhura. Ndërsa kokën e kishte të mbështjellë me një qese të zezë"., - vijon ai duke shtuar se Fatimeja jetonte vetëm prej 17 vitesh.

"Ka qenë e martuar dhe burri i vdiq në vitin 2000. Ata nuk kishin fëmijë dhe tezja nuk u martua më. Jetonte me një pension që e kishte rreth 80 mijë lekë të vjetër në muaj. Ndërsa shiste ndonjëherë edhe qengjat që i rriste vetë. Këto ditë ajo kishte shitur disa qengja dhe siç duket ndonjë që e ka ditur ka ardhur për t’i grabitur paratë. Shtëpinë e gjetëm të kthyer përmbys, kështu që nuk ka motiv tjetër"., -thekson ai.

Fadili rrëfen se ajo ishte grabitur edhe dy vite më parë ku i janë marrë 240 mijë lekë.

"Para dy vitesh, në prill të vitit 2015, ajo është grabitur nga dy persona që as sot nuk janë identifikuar nga Policia. Vetë ajo më ka treguar se i kishin vjedhur 2 milionë e 400 mijë lekë të vjetër. Edhe atë herë e goditën në kokë, por për fatin e saj shpëtoi edhe pse u plagos rëndë. Ajo na pati thënë se ishin dy veta, njëri i gjatë, me fytyra të mbuluara me kapuça. Policia duhet t’i gjejë këta persona. Ndoshta nuk janë ata që e grabitën herën e parë, por të dyja këto ngjarje deri tani janë pa autorë". /Albeu.com/

Shtuar më 08/03/2017, ora 15:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori