Këllici në Kuvend e PD: Demokratët po dalin nga këneta ku ishin zhytur, duhet një opozitë e fortë dhe e pakapur

Deputeti Belind Këlliçi ka mbajtur fjalën e tij në Kuvendin e PD-së, ku tha se ndryshimi i Shqipërisë do të vijë vetëm përmes opozitës.

“Të nderuar delegatë, themelues të PD, shumë i dashur lideri historik i demokratëve,  profesor doktor Sali Berisha, jemi mbledhur në një Kuvend që i ka të gjitha shanset të jetë historik. Demokratët me të drejtë janë të mërzitur, por e kanë gjetur kurajon duke dalë nga këneta ku ishin zhytur, kur sheh në qendrat e votimit me mijëra burra e gra që presin radhën për të votuar të mbushen zemrat plot, sa krenar jam që jam pjesë e PD-së.

Partinë nuk e bën as vula dhe as godina, por e bën vokacioni. Nëse sot Shqipëria lëngon, qeveriset keq, nëse sundohet nga një klikë, nëse trajtohet si oborri i pasur i një kryeministri arrogant, ka ndodhur edhe për fajin tonë, ne duhet të pyesim veten se pse e lejuam të ndodhte.

Kjo nuk do të ndodhte me një opozitë të fortë dhe të pakapur. I vetmi ndryshim që mund të bëjmë është përmes ndryshimit tonë, kjo rrugë do ta ndryshojë njëherë e mirë edhe Shqipërinë. Ky moment është sot, se ne jemi këtu bashkë, me dorën shtrirë për çdo demokrat.

Pse të mos guxojmë sot të kërkojmë një Shqipëri, ku vlerësohet familja, që është piedestiali i gjithçkaje në jetë. Pse të mos kemi një Shqipëri ku mirëqenia e shqiptarëve të jetë në fokus, dhe jo 20 oligarkë.

Të dashur miq, askush të mos mendojmë se kjo është një ëndërr e largët, ne mund t’ia dalim dhe do t’ia dalim, me dashurinë për këtë vend, për Shqipërinë dhe shqiptarët. Uroj dhe jam i bindur se ky Kuvend do të jetë një kapitull i ri, ku secili do të shprehë mendimin ndryshe dhe ku vota do të vendosë gjithçka”, tha Këllici.