U zunë në lokal, i riu zbraz çiften mbi makinën e kushëririt

Një ngjarje e rëndë është parandaluar në kohë nga Policia në Tiranë.

Një i ri pasi është zënë më kushëririn në lokal, ka qëlluar më çiftë kundrejt makinës së këtij të fundit.

20-vjeçari është arrestuar në flagrancë.

Sekuestrohet arma e gjahut, çifte dygrykëshe, një sasi fishekësh, 2 automjete dhe 2 armë të ftohta.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. G., 20 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta me dy kushërinjtë e tij E. D. dhe A. D., në një lokal, ka shkuar menjeherë në banesën e tij dhe ka marrë një armë gjahu të cilën e posedonte me leje gjyshi i tij dhe ka qëlluar në drejtim të mjetit të parkuar të shtetasit A. D.

Falë reagimit dhe ndërhyrjes në kohë të Policisë u bë arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar të ngjarjes dhe parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të këtij konflikti.

Në cilësinë e provës materiale iu gjet e sekuestrua arma e zjarrit çifte dygrykëshe, 2 automjete, 2 armë të ftohta dhe 1 sasi fishekësh.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “Mbajtja pa leje e armëve sportive dhe të gjuetisë”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”.


Shtuar 13.06.2020 07:29