Vetëvendosja: Heqja e reciprocitetit është tradhti, Kosova qeveriset nga qeveri kukull

Lëvizja Vetëvendosje e quajti tradhti heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë nga qeveria Hoti.

Sipas kësaj partie, ky është skandal vetëdhunues.

“Tradhtia s’ka brirë. Qeveria Hoti, në të cilën nuk bën pjesë asnjë udhëheqës politik, por e sponsorizuar në prapaskenë prej Aleksandar Vuçiqit e Hashim Thaçit dhe e mbështetur qyqarisht prej Isa Mustafës, Kadri Veselit, Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt, shfuqizoi sot reciprocitetin. Tash e tutje Kosova e sunduar nga klika e mësipërme dhe nga qeveria kukull, ka hequr dorë prej emrit të saj ‘Republika e Kosovës’, dhe ka pranuar si të vlefshme dokumentacionet ku e quajnë ‘Kosovo i Metohija’.

Ky skandal vetëdhunues u përshëndet menjëherë nga Vuçiqi. Veseli e të tjerët iu nënshtruan Hotit, shërbëtorit të radhës të çiftit Vuçiq-Thaçi. Arsyeja pse u përshëndet: sepse siç kishte deklaruar vetë Vuçiqi, reciprociteti po i kushtonte Serbisë miliona euro në ditë, para të cilat mbeteshin në Kosovë dhe ndihmonin biznesin tonë vendor”, ishte reagimi LVV-së në një postim në Facebook.

Vetëvendosje ka shtuar se reciprociteti ishte masë që duhej të kapitalizohej nga çdo politikan shqiptar.


Shtuar 6.06.2020 16:10