“Tutori më propozoi për martesë”, Valbona: I kërkova të dilja në rrugë që të gjeja një mundësi të arratisesha

Një jetë e mirë, dëshira për të vazhduar mjekësinë, për të ardhmen, ishin të gjitha ëndrra të thyera për Valbonën pas rrëmbimit të saj. Viti 1996 për të i kujton një shtëpi diku në Torino, ku i dashuri dhe shoku i tij e kishin shitur si të ishte një objekt, te një tutor.

Në mes të dëshpërimit, ajo kërkonte një rrugë për t’u kthyer në familjen e saj, aq sa iu desh të merrte një vendim drastik, vijimësinë e të cilit e rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty”.

Ardit Gjebrea: Valbona, nëse mundesh,si ishte hera e parë kur ai të forcoi të dilje në rrugë? Të nxori në rrugë, ia doli?

Valbona: Për të dalë në rrugë ia kam kërkuar unë atij.

Ardit Gjebrea: Si ka mundësi?

Valbona: Ai u dashurua shumë me mua dhe nuk donte absolutisht që unë ta bëja atë si profesion dhe unë të dilja në rrugë të bëja prostitutën për të. Kur ai më njohu mirë se kush isha unë, më propozoi që të martoheshim.

Ardit Gjebrea: Ai u dashurua, të donte vetëm për vete dhe pavarësisht se të bleu, tha “ti do rrish këtu me mua”?

Valbona: Po. Por prapë kisha ndrojtjen time ngaqë u dogja njëherë keq, nuk i besoja deri në fund.

Ardit Gjebrea: Ai ishte personi i parë në jetën tënde?

Valbona: Po.

Ardit Gjebrea: Çfarë tha në momentin që do dilje në rrugë, si reagoi?

Valbona: Më tha “si është e mundur kjo, pse ti duhet të vendosësh një gjë të tillë, unë nuk dua”.

Ardit Gjebrea: Po pse e bëre ti këtë gjë?

Valbona: E bëra sepse unë doja të ikja prej tij, doja të organizoja një mënyrë.

Në këtë moment, Valbona kishte mundur të fitonte pak nga besimi i tutorit të saj, aq sa për të mundur të kryente telefonatën për të cilën i digjej zemra.

Valbona: Ia kërkova, i thashë “duhet të marr në telefon në shtëpi, të lajmëroj mamin që jam gjallë , e ndiej veten shumë në faj”.

Ardit Gjebrea: U bind ai në ndonjë moment?

Valbona: Ai u bind dhe më futi në një kabinë telefonike, më çoi të telefonoja, bëra numrin dhe më përgjigjet mami “alo kush është”, i thashë “mami, jam Bona”. Akoma sot kam shumë emocione sepse kishte kaluar një muaj e disa ditë kur fola me të dhe sikur e ndjeva shumë afër, shumë pranë. Më thotë “ti je Bon?”, i thashë “po mami, jam gjallë”. Në atë moment nuk kishte gjë më të bukur për mua të dëgjoja zërin e saj. I thashë “mami të dua shumë”. E mbylla dhe telefonin se ai e pa që u bëra shumë keq dhe pastaj u kthyem në shtëpi, por kjo e folur me mamin më dha një fuqi të jashtëzakonshme./tvklan.al