Maskat vjedhin marketin në Korçë, marrin para, pije e cigare

4 persona të maskuar kanë vjedhur gjatë orëve të para të mëngjesit një market në qendër të fshatit Voskop.

Pronari i marketit Bledar Leska thotë se nga pamjet e kamerave të sigurisë ka parë që 4 persona kanë zbritur nga një mjet i zi, tip golf rreth orës 04 të mëngjesit. Sipas tij, njëri prej vjedhësve mbante në dorë një armë, tip automatik scorpion me tytë të prerë, me të cilën ka thyer xhamin e pjesës së poshtme të derës.

Të 4 personat kanë hyrë në market dhe kanë marrë nga kasaforta rreth 1 milion lekë të vjetra, pije, cigare dhe ëmbëlsira.

Policia e Korçës ka nisur hetimet për ngjarjen, të cilën paraprakisht e ka klasifikuar si vjedhje.

Njoftimi i Policisë:

Korçë, Kolonjë/Informacione paraprake

Ditën e sotme rreth orës 05:00, në fshatin Voskop, Korçë, persona të paidentifikuar kanë vjedhur me thyerje, në marketin në pronësi të shtetasit B. L., një shumë të vogël parash, pije alkoolike dhe steka me cigare.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes./albeu.com


Shtuar 8.11.2022 10:19