Edukatorja rreh fëmijën 5-vjeçar në një çerdhe në Mitrovicë

Një nënë ka denoncuar në policinë e Mitrovicës në Kosovë se edukatorja ka ushtruar dhunë fizike ndaj djalit të saj në çerdhe.

Për rrjedhojë autoritetet kanë marrë në pyetje edukatoren, pasi dyshohet se kjo e fundit ka sulmuar fizikisht fëmijën 5-vjeçar.

Rasti është konfirmuar edhe nga vet “Kopsht dhe Çerdhe Nina”.

Këta të fundit me anë të një reagimi, kanë bërë me dije se sulmi ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, nga edukatorja me inicialet A.A, ndaj vogëlushit me inicialet S.I.

Pronarja e këtij institucioni, Agnesa Shipoli Nika, në komunikatën e publikuar thotë se ka vërtetuar sulmin nga kamerat.

“Menjëherë pas pranimit të këtij informacioni kam bërë shiqimin e videokamerave të institucionit meqë rast kam vërtetuar se edukatorja kishte qëlluar fëmiun S.I, me një shuplakë në fytyrë. Më pas kam ftuar edukatoren në fjalë dhe kam kërkuar sqarim lidhur me një sjellje të tillë të kundërligjshme dhe e njëjta ka pohuar se dyshimet e ngritura janë të vërteta dhe një sjellje të tillë e kam bërë në afekt pa qëllim apo pa dashje”, ka thënë ndër të tjera pronarja e këtij institucioni./albeu.com/