Ulje temperaturash, si pritet të jetë moti në dy ditët në vijim

Instituti Hidormeteorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se dy ditët në vazhdim mbi vendin tonë do të mbajë mot me temperatura më të ulëta.

Temperaturat minimale pritet të ulen nën zero gjatë dy ditëve në vazhdim, teksa ato maksimale mund të arrijnë deri në 17 gradë celsius.

“Temperaturat minimale parashihen të ulen deri në zero, apo në -1 gradë Celsius, në viset malore minimalet priten të regjistrojnë vlerat -2 deri -3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 9-17 gradë Celsius. Indeksi UV të mërkurën mbetet mesatar, ndërsa cilësia e ajrit në vlerat e shëndetshme. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga veriu dhe jugperëndimi”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Sipas njoftimit të IHMK-së, pas reshjeve të sotme të shiut, vranësirat do të zhvendosen në drejtim të juglindjes për tu zëvendësuar me rreze dielli.

“Këto rreze nuk do të ndikojnë në ngritjen e temperaturave maksimale, sidomos ditën e mërkurë për shkak të prezencës së masave të ajrit me origjinë nga veriu i Kontinentit. Nga dita e enjte priten rritje të temperaturave maksimale, duke bërë që grafiku i fushave termike të jetë konstant me vlerat e mesatareve për muajin që jemi”, thuhet në njofimin e IHMK-së.


Shtuar 14.04.2020 20:18