Rama rikthen grupin “Çiftelia” në krye të Policisë së Shtetit

Sot janë njoftuar ndryshime në Policinë e Shtetit. Tonin Vocaj është emëruar Drejtor i Policisë së Tiranës, duke zënë vendin e Lorenc Panganikës, i cili shkon në akademinë e policisë. Ndërkohë në vend të Vocajt është emëruar Sokol Bizhga.

Si duket, Rama ka rikthyer dhe një anëtar të grupit të ashtuquajtur “Çiftelia”, në kupolën e Policisë së Shtetit.

Por kush është ky grup?

Vite më parë në media qarkulloi një foto e drejtorit aktual të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullakut, drejtorit të sapoemëruar të Policisë së Tiranës, Tonin Vocajt, Agron Kuliçit, Nikolin Balës,  ish-zv/drejtor i Përgjithshëm i Policisë dhe ish-drejtues i Forcave Operacionale si dhe biznesmenit Arben Frroku, të akuzuar për vrasjen e Dritan Lamajt.

Dikur opozitë, sot mazhorancë, PS vendosi t’i quajë grupi “Çiftelia” dhe fotoja e shkrepur nw Dajt  në ku ata kishin pozuar me çifteli shkaktoi në atë kohë një debat të ashpër politik.

Partia Socialiste i akuzoi këta shefa për lidhje me Frrokun. Të dy ish-krerët e lartë, Vocaj dhe Bala, reaguan, duke thënë se fotoja ishte shkrepur para krisjes së marrëdhënieve të Frroku dhe Lamajt.

Që kur emëroi Rrumbullakun në krye të policisë së Shtetit, Rama u pyet në lidhje me “ Grupin Çiftelia”, ku tha: “Nuk jemi një regjim patronazhistësh siç thuhet dhe me këtë rast i përshëndes patronazhistët kudo ku janë se janë zemra e pazëvendësueshme e Partisë Socialiste, por jemi një qeveri e cila vlerëson meritën. Kështu që ato çiftelitë dhe ato daullet e risjella 10 vjet më mbrapa në skenë për arsye që unë i di, por që nuk ka rëndësi fare t’i harxhojmë kohë publikut këtu pse dhe nga kush dhe si, nuk kanë asnjë vlerë. Muhamet Rrumbullaku është një vlerë morale, me një integritet të padiskutueshëm deri tani nga askush, të paktën deri tani sa i përket aspektit të ndershmërisë profesionale”, deklaroi Rama.

Mesa duket, Rama ka harruar akuzat e hedhura dhe ka kthyer grupin “Çiftelia”, madje u ka besuar dhe postet më të rëndësishme në Policinë e Shtetit./albeu.com


Shtuar 13.12.2022 17:47