Palët nuk ranë dakord për ndryshimin e sistemit zgjedhor, opozita ankohet te Ruçi

Mënyra sesi palët ranë dakord për Reformën zgjedhore nuk është pranuar plotësisht nga krerët e Grupeve të opozitës Parlamentare.

Këta të fundit kanë zhvilluar sot një takim me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi. Në këtë takim Myslim Murrizi, Edmond Stojku dhe Nimet Musai kanë paraqitur pakënaqësitë e tyre lidhur me produktin e dakordësuar në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore.

“Përfaqësuesit e opozitës parlamentare i paraqitën Kryetarit të Kuvendit objeksionet e tyre për propozimet e Këshillit Politik për kryerjen e reformës zgjedhore, implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për depolitizimin e administratës zgjedhore dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor, dhe nënvizuan se këto ndryshime duhet të shqyrtohen e votohen në Kuvend, i cili, si organ ligjvënës, është institucioni legjitim për të realizuar reformën zgjedhore”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

“Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, vlerësoi produktivitetin dhe kontributin e grupeve parlamentare të opozitës në realizimin e reformave të rëndësishme në vend, si reforma në drejtësi, votimi i ligjeve me shumicë të cilësuar, zgjedhja e anëtarëve të institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë etj. dhe nënvizoi se Kuvendi i Shqipërisë, si institucioni legjitim për kryerjen e reformës, duhet dhe do të respektojë sensibililitet e të gjithë grupeve parlamentare për realizimin e ndryshimeve ligjore në kuadrin e reformës zgjedhore”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.


Shtuar 10.06.2020 09:20