HISTORIA/ Si sot 20 vite më parë Juventus humb titullin në mënyrë dramatike, Lazio kampion falë motit të keq që përfshiu Perugian (VIDEO)

Kujtesa është një instrument shumë i çuditshëm, një instrument që mund të të rikthejë, ashtu si deti, copëza të mbetura, skrap, në distancë vitesh… Gjëra që mund të kenë ndikuar për keq, ose për mirë, varet nga këndvështrimi…

Ka disa që e mbajnë mend mirë, për cilëndo skuadër bëjnë tifo, ata që nuk ishin të pranishëm ose nuk jetuan atë moment, mjafton të shkojnë në Youtube apo ta lexojnë në internet, rrëfyer mbase nga vetë protagonistët.

Madje, një nga ato protagonistë u përfol edhe si ndihmës trajner i Edoardo Rejas, në kombëtaren e Shqipërisë. Quhet Alessandro Calori (trajner i fundit i Ternanas) dikur pjesë e Peruggias së të famshmit president, Luciano Gauçi (“ai që urrente Juventusin!”, sipas të gjithëve).

Ashtu si ekziston një 5 maj për Interin (katastrofa e vitit 2002, kur humbi titullin ndaj Lazios, duke “ia dorëzuar” Juventusit), ashtu ekziston edhe një datë tragjike për “Zonjën”: 14 maj i vitit 2000, që bardhezinjtë janë munduar të fshijnë nga kujtesa e tyre, por që e kanë të vështirë…

Këto ditë, koha e keqe ka pushtuar gjithë Europën, por plot 19 vite më parë vendosi të përqendrohej vetëm në një qytet në Itali: në Umbria, Peruxhia!

Kampionati italian i futbollit po përgatitet të ulë siparin. Te sezoni 1999-2000, megjithatë, ekziston një pikëpyetje koncepti: është turneu i fundit i vitit 1900 apo i pari i mijëvjeçarit të tretë? Në dyshim, një siguri ka: Lazio ka mbushur 100 vjet nga krijimi dhe po lufton për titull me Juventusin.

Në mes të marsit, çështja “titull” duket e mbyllur, pasi diferenca mes bardhezinvje dhe rivalëve është thuajse e paarritshme, por diçka ndryshon… Befas, kryesuesit kanë një rënie drastike, një “black out” forme dhe ekipi ndjekës, bardhekaltërit, përfitojnë.

Si macja me miun – Eshtë pikërisht Lazio e Roberto Mancinit, Simeones dhe Nedved. Ajo e Nestas dhe Mihajlovic. E Marchegianit dhe Salas. Një skuadër e mbushur me kampionë dhe futbollistë të shkëlqyer, që në distancë të një viti, e quan veten ende “të vjedhur”, kur në sezonin 1998-99, disa vendime të arbitrave i dhanë Milanit titullin në minutën e fundit të javës së fundit. Në fund të marsit 2000, ndodh diçka.

Milani mund Juventusin dhe formacioni bardhekaltër përmbys rezultatin duke fituar derbin e Romës. Arrihet kështu në takimin direkt më 1 prill, në “Delle Alpi” të Torinos. Eshtë mbrëmja e të shtunës. Lazio është tepër e hidhëruar. Mungojnë Marchegiani, Nesta, Mancini dhe Salas.

Zhvillohet një ndeshje jo e ekuilibruar, me të zotët e shtëpisë që luan më mirë, ndërsa kundërshtari mbrohet. Në 1 minutë ekuilibri prishet dhe kampionati rihapet. Ciro Ferrara merr karton të kuq (dy të verdhë) dhe 60 sekonda më pas, Lazio shënon.

Veron merr top thuajse 30 metra larg portës kundërshtare dhe kroson për Simeonen brenda zonës bardhezi. Një krosim i kalibruar, ndërsa argjentinasi devijon ashtu si duhet, duke mposhtur Van der Sar.

Me atë fitore jashtë fushe, pikët e diferencës janë vetëm 3. Në dy javë, gjithçka ndryshon dhe duhen edhe 6 javë deri në fund. Java e 30-të, që luhet më 16 prill, duket se mbyll lojën. Juventusi fiton në “San Siro” ndaj Interit, ndërsa Lazio barazon me Fiorentinan në një 3-3 spektakolar. Pikët e diferencës mes “Zonjës” dhe romanëve bëhen 5.

Në turin tjetër, Juventusi gjunjëzon Fiorentinan në shtëpi dhe Lazio, e udhëhequr nga “El Cholo” Simeone, fiton në Piacenza. Pra, asgjë nuk ndryshon, përveç se ngushtohet rrethi: kanë mbetur edhe tre javë deri më 14 maj 2000.

Verona e Prandellit – Java e 32-të, në skenë më 30 prill 2000. Duket sikur nuk do të ketë surpriza, të paktën në letër. Skuadra e Lazios luan me Venezian, që thuajse ka rënë, ndërsa Juventusi në “Bentegodi”, ndaj Veronas, që ndodhet në mes të renditjes dhe pa objektiva.

Juventusi është në fushë, por më shumë me trup se mendje. Verona e Prandellit nuk është se ka ndonjë dëshirë të madhe ta mundë… Megjithatë, sulmuesi i ri, Fabrizio Cammarata, i rritur te bardhezinjtë dhe dikur në dyshe me Del Pieron, bën çfarë të dojë mes mbrojtësve bardhezi.

Lazio, ndërkohë, bën të sajën, duke mundur Venezian 2-0 me golat e Simeones dhe Simone Inzaghit që në pjesën e parë. Ndërsa skuadrat i drejtohen dhomave të zhveshjes, dëgjohet britmë në stadium: lojtarët ndalojnë të shohin tabelën, që lexon… Verona-Juventus 1-0: Cammarata!

Pjesa e dytë nis me Negron që shpëton në vijën e portës dhe Pedone ngushton diferencën në 2-1. Pikërisht kur Lazio nis të lodhet dhe lojtarët sikur po dorëzohen, vjen thirrja tjetër e tifozëve: Verona-Juventus 2-0: min 61′, sërish Cammarata.

Ndërkohë, Lazio merr zemër dhe rrit lojën, duke gjetur autogolin e Manieros në portën e tij. Ganz shënon gol, por 50 mijë të pranishmit kanë radion të lidhur me Veronën, aty ku vjen vërshëllima finale: Juventusi humbet 2-0, pikët e avantazhit janë 2 tashmë.

Polemikat – Renditja tani sheh bardhezinjtë të ndalur në 68 pikë, ndjekësit 66. Eshtë java e parafundit ajo që ngre polemika dhe tërbim. Lazio fiton në Bologna me Andersson dhe Signorin (ndeshja del 3-2) dhe Juventusi mund Parma 1-0.

Del Piero kthehet te goli, por skandali nuk është ai, por një penallti që iu mohua emilianëve dhe sidomos goli i anuluar i Cannavaros me kokë në të 89′, që konsiderohet faull. Carlo Ancelotti hesht dhe nuk merret me atë episod, ndërsa Moggi e quan “vendim normal!”. Gjakrat ndizen…

Re mbi Peruxhian – Arrihet kështu më 14 maj 2000. Mbyllet kampionati dhe, siç është thënë, në të gjithë Italinë koha është e bukur. Vetëm në zonën e Peruxhias ka disa re “kërcënuese”. Madje, për ta thënë të gjithën, kryeqendra e Umbrias rrezatohet nga dielli dhe njerëzit kanë nxjerrë mëngët e shkurtra.

Mbi qiellin e stadiumit “Renato Curi” ka jo pak re të zeza… Luhet Perugia-Juventus, paralel me Lazio-Reggina në “Olimpico”. Ndeshja e Lazios nuk ka histori, romanët fitojnë 3-0 me golat e Inzaghi, Veron dhe Simeone.

Ndërkohë, mbi stadiumin “Renato Curi” shiu zbret sikur të përdorte shkallë… Ndeshja është e fiksuar në 0-0 dhe duhet më shumë se sa një orë, plot 78 minuta, për të marrë një vendim.

Arbitri Collina e konsideron fushën në kushte për të luajtur dhe për të mos e shtyrë. Në të vërtetë, topi nuk ka një kërcim njësoj në çdo sektor të fushës. Vendimi është delikat… Pas pjesës së parë, duhet të nisë e dyta, ndërkohë ora është 17:11, kur Lazio-Reggina ka përfunduar 3-0. Në momentin kur topi shkon në mesin e fushës, Lazio dhe Juventus janë 72 pikë për kokë dhe playoff mund të vendosë kampionin e Italisë.

Fataliteti “Calori” – Por, në minutën e 49′ ndodh ajo që nuk duhet të ndodhte… Goditje dënimi e Rapaic, Conte nuk e largon dhe Calori devijon në rrjetë, pas krahëve të Van der Sar. Renditja thotë: Lazio 72, Juventus 71. “Zonja” tenton gjithçka, mes pellgjeve të ujit dhe kohës që nuk ka ndër mend të bëjë “armëpushim”… Ancelotti është i dëshpëruar, sheh orën pambarimisht.

Perugia-Juventus është edhe sot ndeshja më e gjatë e luajtur ndonjëherë në kampionatin italian. Dita kur Zoti vendosi që shiu duhet të binte vetëm mbi “Renato Curi” dhe kur Lazio, njëherë në 100 vjet, mund edhe të shpallet kampion prej… motit!


Shtuar 14.05.2020 16:21