U mblodhën pas 50 vitesh! Kjo klasë nga Kuçova e bëri sërish apelin (FOTO LAJM)

Pëlqej
Enteka Resuli
Këtë të martë në shkollën “28-Nëntori” (dikur 8-Nëntori) në Kuçovë kishte mësim.

Po, po, madje oborri gumëzhinte nga gjallëria dhe zhurma. Ishin maturantët e vitit 1968, që u kthyen për të takuar njëri-tjetrin, por edhe për të kujtuar kohët e shkollës.

Ishin aty, si atëherë, por me më shumë vite mbi supe, me flokë të thinjura, me gjurmët që vitet dhe jeta u ka lënë, por me të njëjtën dashuri, për shokët, për atë periudhë ku shoqëria lind pa interes dhe vdes si e tillë.

Përpara 50 vitesh, ata kanë qenë aty, në derën e shkollës, gati për të zënë vend dhe për të filluar apelin. Sot, kanë hyrë në klasë dhe janë ulur të gjithë nëpër bankat e tyre, ashtu si dikur. Veçse bankat nuk ishin të njëjtat. Ato ishin zëvendësuar nga të tjera, të reja dhe plot shkëlqim.

Një takim gjithë emocion, i përzier mes mallit dhe kujtimeve. Fytyra të njëjta, por tashmë të rrudhosura. U çmallën me njëri-tjetrin dhe filluan të bisedonin njësoj si adoleshentë.

“Dita” hyri në klasë për t’i ndjekur këta maturantë me flokë të zbardhura. Na u duk sikur ishim në një ambient 18-vjeçarësh, ndoshta për të sfiduar vitet, ata bënin lojëra, shpesh ndërprisnin shokët, ndërsa ishin duke folur.

Të gjithë ishin 68-vjeçarë. Të shkolluar më vonë në degë të ndryshme, dhe me karriera e gjurmë të rëndësishme ndër vite, duke dhënë kontribut në edukimin e brezave dhe në ndërtimin e vendit, duke qenë mbi të gjitha qytetar të denjë të kësaj shoqërie. Dikush ishte bërë mësues, dikush mjek, të tjerë jurist, inxhinier e me radhë.

Shumica e klasës përbëhej nga djem, ndërsa ishin vetëm 5 vajza të cilat morën pjesë me shumë kënaqësi në këtë takim. Ato ishin të përkëdhelurat, si atëherë, po ashtu edhe tani.

Apeli

Këta 68-vjeçarë, 50 vite më pas ndjen edhe njëherë “ethet” e apelit, të cilin këtë herë ua bëri profesori i tyre i rusishtes, Hajrulla Zonja.

Në këtë klasë, kishte vetëm një mungesë. Hiqmet Liço mungonte, por për ta zëvendësuar atë ishte prezent i biri, Loren Liço, i cili mori pjesë në këtë mbledhje mature për mos të lënë bosh vendin babait në bankën ku ai qëndronte. Ky ishte një moment emocionues në klasë, pasi Hiqmeti ishte i vetmi shok i asaj klase që ishte ndarë nga jeta.

Për profesor Zonjën, sot 75 vjeç, ky ishte një takim i veçantë dhe emocionues.

“Kur më lajmëruan për këtë takim pranova me kënaqësi të vija e të bëja apelin si dikur dhe ta takoja nxënësit e mi të dikurshëm. Gjatë gjithë këtyre viteve që kam dal në pension marr vazhdimisht mesazhe nga ish-nxënës dhe për këtë ndihem mirë. Kemi qenë idealist, kemi punuar me pasion. Kemi nxjerr breza të jashtëzakonshëm, që kudo ku kanë shkuar kanë punuar dhe jetuar me dinjitet. Vitet kanë kaluar, brezat kanë ndryshuar, por malli dhe nostalgjia për vitet e punës mbetet. Puna e mësuesit ka qenë e lodhshme, por tani që kanë kaluar vitet, jam shumë i kënaqur për emrin që kam lënë pas”, shprehet për DITA profesor Zonja, i cila vazhdon ende ta ruaj autoritetin si dikur.

…pas 50 vitesh

Ylli Veleshnja, ishte një nga organizatorët e këtij takimi. Veleshnja, ish-nxënësi i shkëlqyer i asaj shkolle dhe më vonë mësues fizike deri kur doli në pension, tregon se ky organizim nuk ishte i thjesht.

“Jam shumë i kënaqur që u takuam sot të gjithë. Kemi kaluar vite të bukura bashkë, ndoshta më të bukurit. Kur e ndava me disa miq idenë për të bërë këto organizim, mu dukë e vështirë. E para, shumë prej nesh janë të shpërndarë dhe kemi humbur kontaktet me njëri-tjetrin. Por, bashkimi bënë fuqinë dhe ne arritëm të mblidhemi të gjithë. Për mua, gjimnazi është një nga periudhat më të bukura të jetës. Është mosha kur formon intelektin, bën miqësi të sinqertë e mbi të gjitha është periudha kur njeriu bën më shumë çapkënllëqe. Pjesa më e madhe e jona janë shkolluar në drejtim të ndryshme duke dhënë kontributin e tyre në shoqëri. Jemi një brez që kemi studiuar dhe punuar me sinqeritet, duke dashur më të mirën për vendin e mbi të gjitha duke edukuar breza të tërë gjatë viteve të punës”, pohon Veleshnja, i cili, pavarësisht emocioneve të këtij takimi, ruan hijen e rëndë të profesorit të Fizikës.

Pas shpërnguljes nga Kuçova, Veleshnja ka punuar për shumë vite si mësues i kësaj lënde dhe nëndrejtor në shkollën “Qemal Stafa” në kryeqytet.

Përveç njëri-tjetrit, maturantët e vitit 1968 kujtuan me nostalgji edhe mësuesit e tyre. Disa për tiparet e tyre të rrepta e të tjerë për mënyrën se si organizonte orën e mësimit, ishin pjesë e bisedave mes ish-nxënësve.

Përparim Dautaj, një prej maturantëve të këtij brezi, shprehu një respekt të veçantë për mësuesit e asaj kohe, duke vlerësuar sidomos cilësinë e shkollës, por dhe duke bërë apel që vëmendja ndaj arsimit sot dhe në vijim të jetë më e madhe, që të rinjtë të jenë të fokusuar nga dija për t’iu larguar veseve të këqija.

“Kur kujtoj se çfarë mësuesish kemi patur më rrëqethet mishi. Kanë qenë autoritar, me prezencë e mbi të gjitha edukues. Brezat e sotëm më duket sikur po përjetojnë një krizë në këtë drejtim. Nuk ka më mësues si në kohën tonë. Ndoshta problemet e kësaj shoqërie vijnë edhe për shkak të mungesës së personalit edukues”, shprehet Dautaj.

Në këtë takim ishin prezente edhe pesë vajzat e maturës ‘64-’68. Për to, 11 shtatori i këtij viti do të mbahet mend si një ditë e veçantë. Pas 50 vitesh kanë takuar shokët dhe shoqet e klasës për të cilët thonë se kanë qenë të gjithë si motra dhe vëllezër.

“Janë bërë 50 vite dhe pavarësisht se ka kaluar gjysmë shekulli, arritëm që t’i njihnim shokët dhe shoqet tona. Mendoj se është një takim i bukur dhe përballues. Kemi kaluar shumë mirë. Kemi mall dhe nostalgji. Kemi qenë të sinqertë në marrëdhënie dhe në shoqëri”, shprehet Vitori Saliaj e emocionuar.

Në këtë takim mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Selfo Kapllani. Ai shprehu respekt për maturantët e ’68-ës duke i konsideruar ata një brez të artë për këtë qytet, por edhe për vendin në përgjithësi, duke patur parasysh që pjesa më e madhe e tyre janë shpërndarë në disa qytete të Shqipërisë.

Për të ky ishte një takim i veçantë dhe ka uruar që shembullin e tyre ta marrin edhe të tjerët, pasi sa më shumë të takohemi me njëri tjetrin, të shprehim mirënjohje dhe dashuri aq më mirë na bën të gjithëve.
Shtuar më 14/09/2018, ora 15:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori